Analisti politik Aleksandar Pandov në emisionin Klik Plus të TV21 deklaroi se në këto zgjedhje u pa se Lëvizja Besa dhe LSDM-ja kanë bashkëpunim të ngushtë dhe për këtë arsye pret që gjatë rivotimit të së dielës në Tearcë, Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja t’i fitojë votat e simpatizuesve të Besës. Por, në anën tjetër ai shton se, simpatizuesit e BDI-së dhe të PDSH-së kanë për të votuar për VMRO-DPMNE-në.
“Pres që ata të Besës të votojnë për LSDM-në, nëse vendosin të dalin në votim. Maqedonasit do të votojnë ashtu siç kanë votuar më herët ,ndërsa shqiptarët, simpatizuesit e BDI-së dhe të PDSH-së, në qoftë se dalin të votojnë do të votojnë për VMRO-në”, u shpreh Aleksandar Pandov, analist politik.
Pas kësaj prognoze të Pandovit, u imponua pyetja se a janë të gatshme VMRO-DPMNE dhe BDI për të koalicionuar përsëri, përkundër retorikës kundërthënëse të tyre gjatë fushatës zgjedhore. Vlladimir Kunovski nga “E Majta” thotë se nëse VMRO-DPMNE-ja i pranon kërkesat e BDI-së, atëherë një gjë e tillë do të ishte e mundshme.
“Që prej para zgjedhjeve, Ali Ahmeti i parashtroi një lloj ultimatumi VMRO-DPMNE-së. Si pikë e parë, kërkohet kryetari i Kuvendit të jetë nga radhët e BDI-së dhe si pikë e dytë të jetë dygjuhësia”, tha Vlladimir Kunovski, nga “E Majta”.
Deputetja e pavarur në kuvend Sollza Grçeva thotë se këto dy parti kanë bashkëpunuar në të kaluarën, kështu që nuk do të ishte e habitshme të bashkëpunonin edhe në të ardhmen. Megjithatë, ajo shton se në Kuvend, ligji për dygjuhësinë në të gjithë territorin e Maqedonisë nuk do të kalojë.
“Retorika do të zbehet, dygjuhësia është e pamundur të kalojë në Kuvend. Kjo është e qartë për çdo laik. 80 deputetë asnjëherë nuk do të votojnë për diçka që nuk është e nevojshme. Pra, retorika do të qetësohet dhe do të funksionojnë ashtu siç kanë funksionuar më herët”, tha Sollza Grçeva, deputete.
Analisti politik Agim Jonuz thotë se gjithçka që ka fillim, ka edhe mbarim. E njëjta sipas tij, vlen edhe për koalicionin VMRO-DPMNE – BDI.
“Kombinatorika që e përmendi para pak çastesh Kunovski ëshë e mirë. VMRO-DPMNE-ja shpresonte në 63 deputetë, shqiptarët si gjithnjë do ta marrin atë që duhet, me qëllim që të heshtin, të mos ngrenë shumë pluhur… dhe deri tani kjo ka funksionuar. Megjithatë, gjithçka e ka fillimin dhe fundin e saj”, tha Agim Jonuz, analist politik.
Të ftuarit në emisionin Klik Plus në fund u pajtuan se pas zgjedhjeve, është demokratike që humbësi t’ia urojë fitoren palës tjetër.