
Me 9 vota pro dhe asnjë kundër, KSHZ shpall të pavlefshëm vendvotimin numër 2011 në komunën e Tearcës në njësinë zgjedhore numër 6. Votimi në këtë vendvotim do të përsëritet më datë 25 dhjetor, gjegjësisht 14 ditë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Bëhet fjalë për ankesën e paraqitur nga koalicioni i kryesuar nga LSDM, të cilën e ka pranuar Gjykata Administrative dhe të cilën paraprakisht KSHZ e pati refuzuar.
“Në bazë të vendimit të Gjykatës Administrative. Për arsye se numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në këtë vendvotim ndikon në rezultatin e përgjithshëm në nivel të Njësisë Zgjedhore numër 6. Përsëritja e votimit në vendvotimin numër 2011, komuna e Tearcës, do të mbahet më 25 dhjetor 2016, rrespektivisht 14 ditë nga dita e zgjedhjeve”, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
Për vendimin e gjykatës administrative në seancën ku u shqyrtua ky vendim nuk pati ndonjë debat, i vetmi që kërkoi fjalën ishte Bedredin Ibrahimi, përfaqësues i PDSH-së në KSHZ, i cili tha se nuk do të komentojë mbi vendimin e gjykatës, megjithatë ai tha se një organ gjyqësor e ka zgjidhur për tre minuta një problem për të cilin KSHZ është marrë për dy ditë rradhazi, duke shqyrtuar fakte . Ndërkaq nga IT sektori pohuan se numri i votuesve të regjistruar në këtë vendvotim do të ndikojë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
“Unë nuk do të futesha në analizë të detajuar, sepse këtu përmenden parti dhe numra, unë vetëm do të them se ndikojnë. Njëra nga partitë e humb një mandat, ndërkaq njëra nga partitë tjera fiton një mandat”, tha Vllado nga IT sektori.
Kujtojmë se paraprakisht KSHZ pati hedhur poshtë ankesën e LSDM-së për vendvotimin numër 2011. Por nga LSDM dorëzuan padi tek Gjykata Administrative për vendimin e KSHZ-së, pas çka administrativja vendosi që në këtë vendvotim të shkohet përsëri në zgjedhje.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
KSHZ: Në Tearcë do të ketë rivotim by tvshenjaofficial