Kriza politike dhe publikimi i bombave nga ana e LSDM-së, kanë ndikuar që VMRO-DPMNE-ja t’i humb 12 deputetë. Kështu u shpreh ish deputeti në Kuvendin e Maqedonisë, Stojan Andov në emisionin ‘Arena’ në TV Shenja. Sipas tij edhe pse partia e Gruevskit ka humbur kaq shumë deputet, kjo nuk nënkupton se ajo i ka humbur zgjedhjet. Andov shtoi se rezultati i ngushtë mes dy partive maqedonase solli edhe tensione në punën e KSHZ-së dhe Gjykatës administrative, dhe sipas tij, ndoshta si asnjëherë më parë KSHZ-ja u ekspozua presioneve nga të gjitha anët. Por Andov vlerëson se megjithatë KSHZ-ja arriti ta ruajë pavarësinë e saj.
“Kam përshtypjen se KSHZ e bëri punën ashtu siç duhej, edhepse u gjend nën presione shumë të fuqishme, bile edhe kërcënime për dhunë. Do të shohim çka do të bëjë sot, por mendoj se KSHZ-ja ishte në kuadër të asaj që pritej”, deklaroi Andov.
Andov vlerëson se kërcënimet e Gruevskit drejtuar ambasadorëve të vendeve perëndimore, me theks të veçantë ambasadorit të SHBA-së dhe BE-së, është sulm ndaj liderëve të shteteve që përfaqësojnë ambasadorët në Maqedoni, dhe ky sipas Andovit, ishte fjalim shumë i keq si për partinë e tij ashtu edhe për Maqedoninë.
“Fjalimi i fundit i Nikolla Gruevskit ishte i keq për të, për partinë e tij dhe për Republikën e Maqedonisë. Fjalim i dobët me vërejtje shumë serioze. Fjalimin e kishte në sensin që ne shkëpusim lidhjet me miqtë tanë me të cilët punojmë bashkë, ku dhe si do të jemi…theks të tillë kishte. Ajo që ai thotë se marrëdhëniet tona janë të definuara me marrëveshjen strategjike me SHBA dhe me EU me statusin e vendit kandidat është diçka që nënkuptohet dhe kjo nuk don të thotë se ambasadorët te ne mund të bëjnë ndonjë politikë tjetër. Nëse shkëput lidhjen me ambasadorët ai e bën këtë me shtetet e tyre. Dikush do të duhej ti sqarojë se ekzistojnë doracakë për protokol diplomatik dhe konzular ku shkruan qartë kush kë e përfaqëson, si fitohet e drejta të bëhesh ambasador”, tha më tej Andov.
Sipas Andovit, një parti e tillë, si VMRO-DPMNE-ja, me teza të tilla, politikë të tillë dhe me kësi kërcënime ndaj faktorit ndërkombëtar, pavarësisht është aleat i Maqedonisë apo jo, del që punon jashtë ligjit. Ai shtoi se fjalori i gruevskit është i nivelit të rrugës.