Rezultati i zgjedhjeve të 11 dhjetorit ishte i pritshëm për të ftuarit e emisionit të mbrëmshëm të emisionit Arena në Televizionin Shenja. Njohësit e rrethanave politike Mersim Maksuti dhe Arsim Sinani, vlerësojnë se situata politike në Maqedoni është një moment shumë interesant e sidomos në kampin shqiptar, pasi shqiptarët janë në pozicion që të vendosin për Qeverisjen e Maqedonisë.
Sipas profesorit universitar, Mersim Maksuti, Bashkimi Demokratik për Integrim po hyn në një moment të ri politik, drejt humnerës dhe drejtë historisë, gjë që ai e sheh si përsëritje të asaj që ka ndodhur më herët me PPD-në dhe së fundmi me PDSH-në.
“Shumë parti politike themelohen dhe zhduken, për fat të keq po na ndodh me subjektet më të rëndësishme që I kemi pas, dhe duhet analizuar se çka po ndodh, edhe momenti tjetër i fundit me BDI-në, kjo garniturë, strukturë politike, po hyn në një moment të ri politik të saj, por edhe që drejtpërdrejtë lidhet me shqiptarët në përgjithësi. Po na përsëritet historia, siç ndodhi me PPD-në, ja Partia Demokratike Shqiptare gati në shpërbërje totale të saj, edhe këtë momentin në fund të Bashkimit Demokratik për Integrim është në një rrugë të njëjtë, siç po ndodh me partitë tjera”, ka deklaruar profesori universitar Mersim Maksuit.
Ndërkaq sipas profesorit universitar Arsim Sinani, zgjedhjet e 11 dhjetorit nuk I kanë dobësuar shqiptarët politikisht, pasi sipas tij, për herë të parë pas 25 vitesh që kur është krijuar Maqedonia, shqiptarët janë në pozicion që të vendosin për Qeverisjen e Maqedonisë.
“Ajo çka ndodhi në këto zgjedhje është shumë interesante, se tanimë nuk kemi një lider shqiptarë, por kemi disa liderë shqiptarë, dhe tani negociatat do të jenë më të vështira dhe më problematike se opozita do të jetë më e zëshme në parlament dhe nuk do ta ketë zotëri Ahmeti lehtë me këto deputetë në parlamentin e Maqedonisë, ashtu siç e kishte me PDSH-në e cila fliste nga pak, por realisht nuk kishte opozitë reale. Tani ballafaqohet në opozitë të fuqishme që në aspektin ilustrativ do të jetë më e fortë”, tha analisti politik Arsim Sinani.
Sipas analistëve partitë shqiptare duhet të formulojnë një listë kërkesash, pa plotësimin e të cilave nuk duhet të pranojnë koalicion me asnjërën nga partitë maqedonase.