Zeqirija Ibrahimi gjatë fjalimit të tij në Tetovë tha se me paraqitjen e Lëvizjes BESA në skenë më 22 nëntor 2014 në Ditën e Alfabetit shqip u dha mesazhi se ata nuk u frikësohen njerëzve të krimit.
“Më 13 qershor 2015 mbi 10 mijë shqiptarë u mblodhën në Shkup për të protestuar në Shkup dhe për tu thënë atyre se aty është fundi. Më 9 maj në ditën e fitores mbi fashizmin ne u mblodhën në Shkup, asaj radhe ishim mbi 30 mijë shqiptarë që u mblodhëm para qeverisë së Maqedonisë dhe ju thamë: Ju jeni njerëz që e keni atdheun në burg dhe shumë shpejt do të shkoni atje. Më 22 nëntor 2016 prapë në Ditën e Alfabetit të shqipes u mblodhëm në sallën ‘Vip Arena’ dhe u thamë se nuk guxon askush më të tallet me UÇK-në”, tha Ibrahimi duke shtuar se aty fundi i atyre që janë tallur dhe po tallen me vlerat e larta të kombit shqiptare.
Ibrahimi tha se data e fundit e cila do ta shënoj historinë e shqiptarëve të Maqedonisë është 11 dhjetori 2016-të.
“E fundit si datë e cila do ta shënoj historinë e shqiptarëve të Maqedonisë është 11 dhjetori 2016. Atë ditë i ftoj gjithë shqiptarët e Maqedonisë, i ftojë edhe shqiptarët e BDI-së që të votojnë vetëm numrin 10 sepse ai është numër i cili e garanton edhe të mirën e atyre edhe të mirën e familjeve të tyre”, ka deklaruar para tetovarëve Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i BESËS.