Krismat me armë zjarri nga tubimi i BDI-së në Çair, që përfunduan me dëme materiale në 3 banesat e ndërtesës përballë lokalin ku mbahej tubimi, irrituan tej mase banorët. Ata shprehen tejet të revoltuar dhe dënojnë ashpër të shtënat me armë, duke thënë se autorët duhet ndëshkuar me çdo kusht.
“S’po dijë çka me thënë. Jo në rregull, po çka të bëjmë. Duhet të ndëshkohen ata që bëjnë asi gabime, patjetër! Nuk është në rregull njerëzit dhe fëmijët e vegjël me i trishtuar në banesa”, thotë njëri nga qytetarët e anketuar.
“Jetoj këtu për 30 vite. Në asnjë rast, nuk e mbështes këtë dukuri. E tmerrshme”, thotë një qytetar tjetër.
Qytetarët druajnë se kjo mund të jetë indikacion për incidente tjera para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve. Ata thonë se duan një proces zgjedhor të qetë dhe zgjedhje të lira.
“Nuk është mirë kjo, ne nuk presim të përkeqësohet puna, por votimet të shkojnë mirë. Jo të jesh agresiv, sidomos ndaj popullit tonë”, thotë njëri nga banorët e Çairit.
Ndryshe, gjatë një darke të organizuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim të shoqëruar me këngë, njëri nga të pranishmit, gjuajti me pistoletë, ndërsa plumbat përfunduan në 3 banesat e ndërtesës përballë. Gjithçka transmetohej drejtpërdrejtë në faqen zyrtare të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti. Familjet që për fat të mirë, pësuan vetëm dëme materiale, paraqitën rastin në polici. Nga ministria e brendshme thanë se akoma po vazhdojnë hetimet.