Rilindje me BESË sonte u takua me banorët e Çairit, ku para banorëve të kësaj ane shpalosën platformën dhe programin zgjedhor, me çka u përkrah fuqishëm platfoma “Ridefinimi”. Para të pranishmëve kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, njëherit bartës i listës zgjedhore për njësinë e gjashtë zgjedhore deklaroi se më 11 dhjetor shqiptarët duhet ta dënojnë politikën servile të BDI-së, t’i dënojnë ata të cilët, siç tha Kasami, ia dorëzuan Maqedoninë shqiptare VMRO-DPMNE-së. Gjithashtu të pranishmëve iu drejtua edhe bartësi i listës në Njësinë zgjedhore numër 1, Zeqirija Ibrahimi, bartësi i listës në Njësinë zgjedhore numër 2, Afrim Gashi, shefi i shtabit zgjedhor në Çair, Bekim Saliu, anëtari i Kryesisë qendrore të Lëvizjes BESA, Skender Rexhepi, si dhe kryetari i RDK-së, Fadil Zendeli i cili ka pohuar se qytetarët po shprehin interesim të jashtëzakonshëm për t’u baskangjitur në Rilindjen me BESË, dhe kjo bën që të jemi më të motivuar dhe të punojmë pandalshëm deri në arritjen e fitores më 11 dhjetor.
“Ne do t’ia kthejmë shqiptarëve hisen që iu takon këtë shtet. Dikur ishte e pamundur të besohej se Ali Ahmeti me shokët e tij do të përkuleshin dhe do të zbatonin vetëm urdhërat e Nikolla Gruevskit, ngaqë ajo ua dorëzoi palës maqedonase edhe atë që nuk i takon asaj – edhe Maqedoninë shqiptare. Por, Lëvizja BESA do ta kthejë atë që na takon pa dëmtuar asnjërin, mjafton që shqiptarët e kanë të qartë se kënd duhet ta ndëshkojnë me votë në këto zgjedhje. Çdo votë në zgjedhjet e 11 dhjetorit është e rëndësishme. Çdo votë e juaj është fuqizim i zërit të shqiptarëve të cilët o sot, o kurrë do t’i dalin zot vendit të të parëve të vet, vendit që do të mbetet i fëmijëve tanë – Maqedonisë shqiptare”, deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.