Tashmë jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por edhe shqiptarët e Kosovës e kanë të qartë se kush na paska qenë Ali Ahmeti. Kështu thonë dy ish komandantët e UÇK-së së Kosovës, tani deputetë në Kuvendin kosovar, Daut Haradinaj dhe Haxhi Shala – i njohur si Gjeneral Topi. Në intervistë për portalin “Lajm TV”, Haradinaj tha se mbështetja e Ahmetit për Ramiz Lladrovcin në zgjedhjet e Drenasit në Kosovë nuk ka kurrfarë vlere, sepse kosovarët kanë pasqyrë të qartë për Ali Ahmetin.
“Unë mendoj se z. Ahmeti duhet ta ketë parasysh se edhe populli i Kosovës e ka kuptu qartë pozitën e tij”, tha deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.
Haradinaj u bëri thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të mos gjuajnë me gurë liderin e BDI-së, por revoltën e tyre ta shprehin në kutitë e votimit.
“Unë mendoj që qytetarët e Maqedonisë, në këtë rast shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë ta gjuajnë askënd me gurë, as të përdorin dhunë. Mendoj që ata duhet të jenë të vetëdijshëm dhe tu japin besim njerëzve që mendojnë që i përfaqësojnë më së mirë, që i mbrojnë interesat e tyre. Mendoj që e kanë rastin ditën e zgjedhjeve ta japin besimin aty ku ata mendojnë se është ndryshimi apo zgjedhja më e mirë”, theksoi Haradinaj.
Deputeti Haxhi Shala, i njohur në kohën e luftës si Gjeneral Topi, u bëri thirrje direkte shqiptarëve që të mos votojnë më BDI-në, e cila sipas tij, në këto vite e ka dëmtuar shumë çështjen e shqiptarëvejo vetëm të Maqedonisë, por edhe mbarë shqiptarëve në rajon.
“Një apel që dua tu bëj qytetarëve atje është që ata të vendosin vetë për fatin e tyre, të mos votojnë për politikanë të cilët deri më sot janë provuar dhe asgjë të re nuk kanë sjellë dhe vetëm dëme u kanë bërë qytetarëve të Maqedonisë. Në mandatet e tyre, jo vetëm që kanë dëmtuar çështjen e shqiptarëve në Maqedoni, por edhe çështjen mbarëshqiptare. Është Sopoti, Monstra, Kumanova. Të gjitha këto ngjarje tregojnë se këta politikanë nuk e meritojnë më të marrin besimin e qytetarëve shqiptarë.”, tha deputet i Nismës ,Haxhi Shala.
Ai gjithashtu tha se thirrjet e BDI-së për gjoja unifikimin e votës shqiptare janë të vonuara, sepse edhe në zgjedhjet e mëparshme vota e shqiptarëve ka qenë e unifikuar për BDI-në, por është keqpërdorur nga Ali Ahmeti.
“Është e vonuar kjo thirrje sepse unifikimi i votës shqiptare në Maqedoni ka qenë më herët dhe është keqpërdorur edhe nga partitë e mëhershme, edhe nga z.Ahmeti. Kjo është vetëm një frazë se si të mblidhen vota sa më shumë. Vota e unifikuar shqiptare ka qenë e keqpërdorur kryesisht nga Ali Ahmeti, nga PDSH-ja më herët dhe tani mundohet sepse po e sheh që elektorati shqiptar ka filluar të reflektojë dhe të mendojë ndryshe nga ajë që mendojnë këta”, theksoi Shala.
Sipas Gjeneral Topit, për shqiptarët e Maqedonisë ka ardhur koha për politikanë të ri e të pastër, të cilët do ta ecin përpara çështjen shqiptare.