Kryeministri shqiptar, Edi Rama do të sjellë në kryeqytetin serb përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Ardita Sinani, kryetare e Kuvendit të Preshevës, e cila do të jetë një nga politikanet në delegacion, shpreson të mund të shkëmbejë kërkesën e tyre për të folur për ekonominë.
“Kjo vizitë është jashtëzakonisht e një peshe të madhe dhe kërkesa personale është që investitorët e biznesit shqiptar në bashkëpunim me atë serb të fokusohen në Luginën e Preshevës”, deklaron Sinani.
Ajo thotë se kësaj radhe, ata kërkojnë një angazhim që Tirana të jetë ndërmjetesuese në qeverinë e Serbisë.
“Nuk jemi të barabartë si pakicat e tjera, se ato hungareze dhe boshnjake janë shumë më të privilegjuara sa u takon të drejtave të tyre. Ne të drejtat i kemi të cunguara, por nga ky takim jam optimiste se e ardhmja e qytetarëve të Preshevës do të jetë më e mirë”, thotë Sinani.
Rama ka qenë dy herë në Preshevë më parë. Kësaj radhe rruga nuk do t’i bjerë andej, por në forumin e biznesit në Nish do të ketë edhe kompani shqiptare nga jugu i Serbisë.