Autori është doc. dr. e të drejtës ndërkombëtare
Është e pakuptueshme se sa lehtë punëtorët mediatikë heqin dorë nga parimet themelore të punës së profesionit të tyre, gjegjësisht nga fakti se liria e medieve është e drejtë e pacenueshme jo vetëm për ta si të punësuar, por edhe e drejtë kushtetuese për të gjithë ne si qytetarë, që duan të jenë të informuar nga medie të pavaruara dhe të paanshme
Roli i medieve në zgjedhjet e ardhshme në Republikën e Maqedonisë, sikur është më i madh dhe më i rëndësishëm se sa vetë partitë politike, të cilat në aspekt formal-juridik janë ato drejt të cilave duhet të jetë e orientuar vëmendja e publikut. Kjo është përshtypja që fitohet gjatë muajve të fundit dhe mu për këtë arsye parashtrohen disa pyetje që do të duhej të trajtoheshin nga mediet.
Në fakt, në kohën e medieve elektronike dhe të komunikimit nëpërmjet internetit, të cilat janë gjithnjë e më dominante ndaj medieve të shtypura, e pashmangshme është dilema se a është penguar liria e shtypit ose jo në një konstelacion të këtillë të raporteve në hapësirën mediatike. Kjo pyetje rrënjët e saj i ka që nga fillimet e paraqitjes së medieve të shtypura, kur është paraqitur dilema se a është ideja për liri nga censura dhe për shtyp të lirë, ideal i realizueshëm për komunikim (informim) të lirë dhe të barbartë që qytetarëve nëpërmjet medieve.
Sociologët dhe hulumtuesit në sferën e medieve që e analizojnë reagimin e publikut, formësimin e zhanreve, efektet ideologjike të medieve korporative dhe pasojat kulturore të teknologjive të reja të informimit, pothuajse janë unanimë në atë se gara në treg është më e vlefshme në definimin e lirisë së medieve. Мirëpo, praktika çon në përfundimin se mediet që janë nën ombrellën e shtetit i prishin aspektet e tregut dhe i pengojnë tendencat zhvillimore të garës në treg për hapësirën mediatike.
Debati dhe pazarllëku, së pari për ekzistimin, e pastaj edhe për përbërjen e organit që do ta ndjekë punën e medieve në këtë periudhë të kufizuar parazgjedhore, fiton shumë më tepër hapësirë se sa vetë esenca: pse ka nevojë që të ekzistojë ky organ, gjegjësisht a është i nevojshëm ekzistimi i tij dhe shkaqet që çuan deri te nevoja për formimin e një mekanizmi të këtillë kontrollues të punës së medieve. Linket e mëposhtme e vërtetojnë interesin, mirëpo edhe paraqesin referencë për këtë çështje:
Çka parasheh marrëveshja e 20 korrikut për mediet?;
Gazetarë, profesorë, ekspertë…. në garë për monitoring të medieve;
Tentim i ri për zgjedhjen e anëtarit të pestë të organit ad-hoc për medie;
Sot në mesditë mbledhje e re e Komisionit për prezantim mediatike për zgjedhjen e anëtarit të pestë.
VETËDORËHEQJA NGA E DREJTA E PACENUESHME
Është e pakuptueshme se sa lehtë punëtorët mediatikë heqin dorë nga parimet themelore të punës së profesionit të tyre, gjegjësisht nga fakti se liria e medieve është e drejtë e pacenueshme jo vetëm për ta si të punësuar, por edhe e drejtë kushtetuese për të gjithë ne si qytetarë, që duan të jenë të informuar nga medie të pavaruara dhe të paanshme.
E gjithë kjo është shkruar dhe është sqaruar bukur në Kodin e gazetarëve të RM-së:
Detyra kryesore e gazetarëve/eve është respektimi i të vërtetës dhe i të drejtës së opinionit që të jetë i informuar, në përputhje me nenin 16 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Roli i gazetarëve/eve është shpërndarja e informatave, ideve dhe e mendimeve dhe e drejta për të komentuar. Duke i respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët/et duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë. E drejtë dhe detyrë e gazetarëve/eve është që të përpiqen ta parandalojnë censurën dhe shtrembërimin e informatave.
Nuk e di se cila nga këto gjëra nuk është e qartë për pjesëtarët e këtij profesioni, që aq lehtë pranuan të jenë pjesë e kombinatorikave dhe kusht për mbajtje e këtyre apo atyre cilat do qoftë zgjedhje të ardhshme.
Askund, thjesht në asnjë vend në rregullativën e gazetarisë (ligjore dhe profesionale), në vend dhe më gjerë në korniza botërore, nuk thuhet se mediet dhe të punësuarit në to kanë ndonjë rol tjetër, përveç se të kujdesen për respektimin e të drejtave të njeriutm dinjitetin dhe lirinë; respektimin e pluralizmit të ideve, qëndrimeve, forcimin e shtetit juridik; kontrollin e pushtetit dhe të gjitha subjekteve të jetës publike.
Disa punëtorë mediatikë (teoreticienë) e kuptuan se ky organ аd- hoc e humb rolin rolin e tij akoma pa filluar të funksionojë dhe e shprehën qëndrimin e tyre, dhe ndoshta është edhe koha e vërtetë që të tejkalohet kjo “farsë” dhe t’i lihet organit profesional (Agjecisë për medie dhe shërbime mediatike) që ta bëjë punën e saj, ndërsa gazetarët punën e tyre.
Nëse si pikë fillestare merret premisa se çdokush është aq i rëndëssishëm aq sa flitet për të, atëherë, me sa duket, mediet kanë interes më të madh të jenë “të rëndësishme” dhe të merren me vetëveten se sa me të tjerët. Roli i tyre primar si “transmetues” të informatave për të tjerët transformohet dhe jo rrallë jemi dëshmitarë se ka më tepër informata për mediet se sa për subjektet e tjera të jetës shoqërore, nga aspekti i procesit të ardhshëm zgjedhor.
Tani madje edhe fakti se katër anëtarët e këtij organi duhet ta zgjedhin edhe një anëtar tjetër i cili do të ishte i barabartë me ta nuk debatohet në medie, por merret si i gatshëm se “ashtu është e rregulluar”. Dhe ndoshta këtu kanë të drejtë, për shkak se lëshimi është bërë në momentin kur punëtorët mediatikë u pajtuan të përfshihen në kombinatorikat e këtilla.
DEBATI TË ORIENTOHET KAH METODOLOGJIA
Edhe Kodi i gazetarëve në nenin 14 rekomandon që “gazetarët/et të sigurojnë distancë profesionale nga subjektet politike”, mu për shkak të pengesave të këtilla potenciale, që tani thjesht anashkalohen, me arsyetimin se gjithçka është në interes të sigurimit të procesit zgjedhor, me ç’rast harrohet se mediet as që duhet të jenë pjesë e procesit, por vetëm vëzhgues të tij, ose thënë më mirë, transmetues deri te publiku!
Debati, ose më mirë thënë, sfera e interesit të medieve do të duhej të orinetohet drejt mundësive të barabarta në prezantimin e programeve zgjedhore të kandidatëve për pozitat politike, drejt ofrimit të pasqyrës reale të çdo sendi që çdo pjesëmarrës në betejën politike ia ofron trupit të gjithëmbarshëm votues.
Меtodologjia e cila duheshte ta lehtësojë këtë proces, poashtu, u nënshtrohet kritikave, e pothuajse është e pamundur se pa probleme do të kalojë edhe faza e ardhhme – emërimi i njeriut të parë të Shërbimit publik të radiodifuzionit. Me një fjalë, del se aspekti mediatik i procesit zgjedhor, përfshirja e medieve në të, është ajo që është më problematike te zgjedhjet që mbahen te ne?!
Si lejuan mediet që të ndodhë kjo, është pyetje, në të cilën, së paku në këtë moment, vështirë se mund të gjendet përgjigje.