Albin Kurti ka komentuar në intervistën për “Shekulli” edhe debatin mbi sovranitetin dhe ndryshimet kushtetuese në Shqipëri, lidhur me reformën në drejtësi.
Edhe në Shqipëri ka një debat publik mbi sovranitetin. Si duhet trajtuar sovraniteti, në kushtet aktuale të integrimit në strukturat euro-atlantike, si për Shqipërinë dhe për Kosovën?
Debati në Shqipëri nuk është për sovranitetin territorial, por për një sovranitet politik mbi një pushtet, siç është gjyqësori. Nuk mund të shprehem gjatë në këtë intervistë mbi atë çka po ndodh në Shqipëri, me amendimin e Kushtetutës dhe me “Reformën në Drejtësi”, por mund të them vetëm se, pavarësisht integrimeve në struktura të sigurisë apo në tregje, përgjithësisht pushteti i gjyqësorit e ka ruajtur sovranitetin e vet në të shumicën e vendeve që njohim, dhe kjo e ka një arsye. Drejtësia dhe vetë ligjet janë të suksesshme vetëm atëherë kur janë të kultivuara prej vetë komunitetit (homegrown). Kolonializmi, por edhe eksperimentet e kohëve të fundit me “eksportin” e vlerave institucionale, siç janë ndarja e pushteteve apo funksionalizimi i gjyqësorit, përgjithësisht kanë dështuar. Kam frikë se, në fund fare, edhe kjo përpjekje për të sjellë drejtësi për popullin e Shqipërisë do të dështojë, dhe gjërat do të mbeten njësoj me përjashtim të faktit që sovraniteti do të mbetet përgjithnjë i cënuar. Unë pandeh se drejtësinë nuk mund ta sjelli një klasë thellësisht e korruptuar dhe e kriminalizuar. Nuk është e mundur që vetë ata që dyshohen për korrupsion e krim të stërmadh, të votojnë unanimisht biletën e tyre për në burg. Këtë unë e di me eksperiencë, pasi në Kosovë shumë shpesh është shpresuar se organe ndërkombëtare si UNMIK, EULEX apo Gjykata Speciale do të ndëshkonin kriminelët që janë në pushtet lokalisht. Mirëpo këta kriminelë, të cilët i kanë votuar vetë mandatet e këtyre ndërkombëtarëve, para se të votonin kanë marrë garanci. Dhe faktet tregojnë se të gjitha këto misione ndërkombëtare kanë dështuar të sjellin drejtësi në Kosovë. Nuk shoh ndonjë arsye se pse do të duhej të kishin sukses në Shqipëri.
Që të vinte drejtësia në Shqipëri, do të duhej së pari një ndryshim në elitën politike, dhe orientime të reja politike e ideore, që janë më kombëtare, më përfaqësuese, më sociale, më pranë vetë qytetarëve, më radikale. Beteja politike do ta përcaktonte edhe kthimin e timonit të shoqërisë e të shtetit drejt funksionalizimit të drejtësisë. Por edhe kjo do të merrte shumë kohë. Sepse duhet kuptuar, zhvillimi ekonomik dhe shteti i së drejtës nuk mund të vijnë lehtë, për pak vite. Duhet shumë punë e shumë beteja, dhe ndoshta për 15-20 vite mund të ndërtohet një ekonomi funksionale e një drejtësi e kënaqshme. Ata që propozojnë zgjidhje të shpejta, gënjejnë. Ajo çka përpiqemi të bëjmë ne si VETËVENDOSJE!, nuk është të japim zgjidhje të shpejta, pasi ne nuk kemi formula magjike, siç është për shembull kjo formula për Reformë në Drejtësi. Ne kërkojmë që të nisim një betejë me krimin e me padrejtësinë, duke e ditur që kjo betejë do të marrë shumë kohë. Ne kërkojmë që sot të kthejmë timonin dhe të ndërrojmë rrugë, pasi po ecim në rrugën e gabuar dhe duhet të nisemi në rrugën e drejtë të zhvillimit dhe shtetndërtimit. Ama, edhe kur të hyjmë në rrugën e drejtë, rruga nuk do të jetë e shkurtër.
Në veçanti më erdhi keq që asnjë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nuk ua tha diplomatëve amerikanë e evropianë pse nuk po bëjnë Reformë të këtillë të Drejtësisë edhe, ta zëmë, në Serbi, kur dihet se atje Kuvendi e Qeveria janë të mbushur përplot, jo vetëm me kriminelë të paqes, por edhe me kriminelë të luftës. Në këtë Ballkanin Perëndimor, të cilin ndërkombëtarët po e mbiquajnë me akronimin WB6, nuk po na trajtojnë aspak njëjtë. Në Serbi po rritet homogjenizimi serbomadh, ndërsa në Shqipëri po zvogëlohet pavarësia shtetërore.
/Elton Metaj