E përditshmja më e madhe serbe “Blic”, ka dalë sot me një titull që nxit luftëra të reja në Ballkan.
Në faqen kryesore të gazetës ishte titulli, “Ballkani sërish fuçi baruti”, dhe portretizonte liderët e ballkanit, duke u nisur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç etj.
Në tekstin me mbititull, “Në rajon sërish përmenden vitet e luftës”, janë edhe Bakir Izetbegoviç, përfaqësues i presidencës boshnjake, pastaj krimineli serb Vojisllav Sheshel, kryetari i SPS-it, Ivica Daçiç, ish-komandanti boshnjak, Naser Oriç, dhe ish-gjeneral majori kroat, Branimir Glavash.
“Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjës qe një kohë të gjatë nuk kanë qenë në nivel me të ulët. Daçiç: Deklarimet e Kroacisë ngjasojnë me ato të vitit 1940. Ministri kroat Kovaç: Propaganda e Serbisë të kujton vitet e 90-ta të agresionit të Millosheviçit”, është nëntitulli i gazetës serbe, shkruan lajmi.net.
Deklarata e presidentit kosovar nuk është përfshirë, por ka të bëjë me përmendjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë.
Kohëve të fundit në Serbi përmendet gjithnjë e më shumë se “Blic” ka rënë në ndikimin kryeministrit Alekandar Vuçiç, prandaj një tekst i tillë shihet edhe si përçim i mesazhit të tij.
/G.K/