Turqia u zgjua e trazuar nga ngjarjet e natës, ku qeveria dhe Presidenti Erdogan denoncuan një përpjekje për grusht shteti nga fraksione të ushtrisë së vendit. Mbeten ende shumë gjëra për t’u zbardhur mbi rrjedhën e ngjarjeve, por ajo që është e sigurtë, të paktën sipas Ankarasë zyrtare, është se grushti dështoi, por jo pa kosto.
Të paktën 60 persona kanë gjetur vdekjen nga trazirat e natës, përfshirë këtu ushtarë dhe civilë. Qeveria turke thotë se ka marrë kontrollin e institucioneve që u mësynë nga ushtarakët rebelë dhe se ka arrestuar 754 persona, pjesa më e madhe e të cilëve ushtarakë.
Kryeministri Yildirim deklaroi në orët e para të mëngjesit se situata ishte pothuajse nën kontroll. Më herët ai kishte urdhëruar forcat ushtarake besnike që të shënjestronin helikopterët, avionët dhe tanket e përdorura nga grupi i ushtarakëve pjesëmarrës në grushtin e shtetit. Një helikopter i tyre u qëllua teksa po fluturonte mbi Ankara, duke vrarë të gjithë pjesëtarët në bord.
Të shtëna sporadike raportohen ende në disa qytete të vendit dhe ka raportime se grupe ushtarësh pjesë e grushtit të shtetit po vijojnë rezistencën. Mediat vendase thonë se ata zotërojnë ende disa tanke dhe helikopterë dhe kanë refuzuar deri më tani që t’u dorëzohen autoriteteve.
Presidenti Erdogan u shfaq në orët e natës në Stamboll mes qindra mbështetësve. Ai i quajti “akte tradhëtie” ngjarjet, premtoi vendosjen para drejtësisë të autorëve dhe tha se ushtria “ka nevojë për pastrim”.
Nuk dihet ende se kush udhëhoqi përpjekjen për grusht shteti dhe cila është mbështetja që gëzon në radhët e ushtrisë. Megjithatë, në një deklaratë, Ministria e Jashtme u kujdes të ndajë pjesëmarrësit në grusht me pjesën tjetër të ushtrisë.
“Forcat e Armatosura turke nuk ishin të përfshira në grushtin e shtetit. Ishte një klikë brenda forcave të armatosura që morën një përgjigjie të mërituar nga populli ynë”, thuhej në deklaratë.
Turqia është një pikë kyçe midis Lindjes dhe Perëndimit. Kështu Ankaraja mbetet një nga aleatet më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara, botës perëndimore dhe qeverive të Lindjes së Mesme.
Si anëtarja e vetme me shumicë myslimane në NATO, Turqia ka krijuar ne tokën e saj baza ajrore për SHBA, me qëllim ofrimin e mbështetjes në operacionet ushtarake amerikane për konfliktet kryesore.
Por për ta edhe pjesën tjetër të botës, Turqia nuk shihet si një aleat “i thjeshtë”, por si i komplikuar, aq më tepër kur Erdogan thelloi pushtetin e tij duke e kthyer atë në autokratik. Kjo pakënaqësi shihet si motivi kryesor që shtyu xhandarmërinë të zbriste në Ankara dhe Stamboll për ta rrëzuar Erdogan nga pushteti.
Por stabiliteti i Turqisë është gjithashtu me rëndësi jetike për të SHBA dhe për vendet në të gjithë Europën. Turqia ka qenë aleat i NATO-s që nga viti 1952, dhe avionët luftarakë amerikane kanë përdorur bazën ajrore ne jug të vendit Inçirlik gjatë pushtimeve në Afganistan dhe Irak.
Rreth 1,800 ushtarakë janë stacionuar në bazë, por edhe në ambasadën amerikane në Ankara. Siguria në Incirlik ka rëndësi jetike për ushtrinë të SHBA-së, pasi aty ndodhen rezerva te armëve bërthamore të projektuara për të shkaktuar dëm të madh.
Ndërkaq, me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, Erdogan ishte fillimisht i dyzuar nëse do të përfshihej në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri. Për analistet qëllimi më i madhi presidentit turk nuk ishte shfarosja e militantëve, por rrëzimi nga pushteti i Bashar al Assad. Por, pas një serie shpërthimesh kamikazë të profilit të lartë në qytetet turke, intensiteti i luftës ajrore e Turqisë në Siri është rritur ndjeshëm.
Krisja e stabilitetit në vend paraqet edhe një element pasigurie në luftën e koalicionit kundër Shtetit Islamik.
Një lidership i ri do të bënte që “Topi” të ishte në oborrin e qeverisë së grushtit të shtetit, dhe ata do të përcaktonin nëse lufta do të vazhdonte. Po ashtu lufta e brendshme do të ngrinte një tjetër pikëpyetje. Çdo të bëhet me afërsisht 3 milionë refugjatë që jetojnë atje?
Vendi ka shërbyer si një valvul shpëtimi për eksodin më të madh pas luftës së dytë botërore. Turqia u bë vendi i parë mysliman që njohu Izraelin. Ankaraja është parë prej kohësh si një urë lidhëse mes Izraelit dhe botës arabe dhe, më e rëndësishmja, si një ndërmjetëse në bisedimet e paqes të udhëhequra nga Uashingtoni për t’i dhënë fund konfliktit me palestinezët, shkruan top channel. Edhe pse marrëdhëniet diplomatike turko-izraelite u ndërprenë në vitin 2010, ato u riforcuan në qershor të këtij viti. Historia ka treguar se pozicioni i saj strategjik ka qenë mallkim, por edhe bekim për Turqinë. Për shekuj me radhë vendi ka qene një udhëkryq i begatë për tregtarët e mëndafshit, erëzave, floririt apo të tjera mallrave. Por, njëkohësisht ka qenë edhe toka e betejave brutale, dhe epërsisë së pushtetit, të cilën e dëshmoi edhe kjo tentative për të realizuar grushtin e radhës së shtetit.