Muaji i shenjtë i Ramazanit është një mundësi për të gjithë besimtarët për të arritur kënaqësinë e Allahut (xh. sh.) Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: ‘Fillimi i Ramazanit është mëshirë, mesi – shpëtim i tij dhe fundi – siguri nga xhehenemi.’ (Regjistron Ibn Huzejme)
Shkruan Mr. Salim Sulejmani
Muaji i Ramazanit është si “sezon i pranverës”, ku pemët çelin, ka gjelbërim dhe lule kudo. “Pemët” (lexo njerëzit) që janë në procesin e tharjes (lexo largimit nga mëshira e Zotit), me besim të plotë ata gjejnë jetë në Ramazan, përkatësisht ushqehen e revitalizohen në Ramazan me veprime të mira.
Nga Ramazani kemi përfitimet të panumërta, e me këtë rast vetëm do të cekim disa nga to, e më gjerësisht do të përqendrohemi te ato shpirtërore.
Përfitimet fizike – Ramazani fizikisht e pastron trupin e njeriut. Shumica e ushqimit tonë të përpunuar përmban kimikate të cilat janë të dëmshme për organizmin, e vjen agjërimi si një detoksikant për trupin.
Përfitimet psikologjike – Gjatë këtij muaji njeriu di të merret me vetveten. Gjatë Ramazanit njeriu mëson se çfarë është dobësia e tij; duke qenë i ‘frymëzuar’ nefsit zemra përpiqet për përsosmëri të madhe. Me rastin e të qenit i uritur, arrihet pastërtia e mendjes dhe zemrës, e ndërsa kujtesa në këtë gjendje është më e fortë.
Përfitimet sociologjike – Krijohet një unitet i tërë komunitetit mysliman në botë. Kur njeriu ndjen urinë, rikujton thellë dhe me mall gjendjen e të varfrit dhe të uriturit. Kjo vetëdije inkurajon njeriun për të mbështetur të varfër nëpërmjet dashurisë dhe ndihmës financiare, me dhënien e lëmoshës-sadekasë.
Përfitimet Metafizike – agjërimi sjell ekuilibër të energjive pozitive dhe negative në univers. Ramazani është një muaj i mundësive për shpërblim dhe për të ngritur e rritur vetëdijen për Krijuesin. Agjërimi është një formë e adhurimit të veçantë. Ky është muaji në të cilin djalli nuk mund të tundojë besimtarin dhe çdo gjë tjetër është nga vetë nefsi (egoja) e njeriut.
Sipas Kuranit të Shenjtë dhe mësimet Profetike tradicionale agjërimi ka një karakteristikë të veçantë moral e shpirtëror. Fjala Saum në kuptim të lirë të fjalës do të thotë “maturi”, e në kup-tim terminologjik do të thotë ‘Abstenim total nga të gjitha dëshirat seksuale dhe ushqimore nga agimi deri në perëndim të diellit, e gjithë kjo me qëllim bërje Ibadeti.’
Agjërimi pastron dhe zbut zemrën dhe na mëson për ta disiplinuar nefsin tonë (instinktet bazë). Agjërimi rinovon besimin tonë, dhe shpirtin tonë. Ai është bërë obligim për besimtarët në Kuranin e shenjtë, e kjo si një ilaç i detyrueshëm për të kuruar sëmundje. Agjërimi shëron sëmundjet e zemrës.
Agjërimi si lloj Ibadeti jo vetëm thjesht fizik, por dhe shpirtëror, është një nga shtyllat islame, i detyrueshëm për të gjithë myslimanët, përveç për fëmijët nën moshën e pubertetit, personat shumë të thyer në moshë, të sëmurë me sëmundje të përhershme e kështu me radhë. Këtu përfshihen edhe disa kategori njerëzish, që kanë justifikime si: gratë shtatzëne, ato me menstruacione, po ashtu edhe personat e sëmurë dhe ata në udhëtim. Të gjithë ata janë të lejuar të shtyjë agjërimin e tyre deri në fund të arsyetimeve që kanë.
Kur Islami obligoi besimtarët me këtë institucion, i cili lirisht mund të thuhet se është i pakrahasueshëm, ngase me këtë ai mbolli një pemë gjithnjë e në rritje të një virtyti të madh shumë produktiv dhe tejet të çmuar, që konsiston me ngritjen më të lartë në piadestalin më sublim, çiltërsinë shpirtërore, njëherit të llogaritur si objektivin kryesorë të agjërimit. Shpirtërorja ka disa objektiva të cilat po i paraqesim në vijim.
Agjërimi zakonisht është i kombinuar me lutje shtesë, ibadete, lexim dhe përqendrim në kuptimet e ajeteve kuranore, e me të ndihmon besimtarin si më poshtë.
Agjërimi aftëson dhe vetëdison besimtarin për njohje të plotë Allahun. E qartë është fjala e Gjithmadhërishmit në Kuran kur thotë: „O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë obligim për ju, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.“
Pra, si të thuash, agjërimi si mënyrë e qëlluar dhe e drejtë na ndihmon që të arrijmë shkallë përsosshmërie dhe çiltërsie shpirtërore me rastin e arritjes së devotshmërisë. Agjërimi është një mohim i nevojave fizike të trupit. Trupi dërgon sinjale në trurin tonë se dëshiron ushqim dhe ujë. Ndjejmë urinë dhe etjen. Stomaku është i parehatshëm. Goja është e tharë. E vërtetë është që në disa faza të ditës mund të ndihemi të dobët. Por, ama, kjo dobësi gjithashtu na kujton se ne jemi duke agjëruar me bindje të plotë për Allahun – kjo na bën të fuqishëm shpirtërisht. Ai është i cili na sheh kudo që jemi, dhe asnjë besimtar i denjë nuk largon nga vetja etjen dhe urinë fshehurazi e të mos flasim haptas. Sinqeriteti i Imanit – besimit të një myslimani është në testim për shumë herë në ditët gjatë agjërimit. Sa herë që të ketë sukses në tejkalimin e kërkesës për të ngrënë ose për të pirë, ai e dobëson dominimin e trupit të vet mbi mendjen e vet dhe e forcon lidhjen e tij me Allahun, duke e bërë atë edhe më të fuqishme edhe të qëndrueshme.
Me këtë përvojë të përditshme të pendimit dhe të dorëzimit para Allahut, rritet afërsia edhe më shumë për tek Ai. Njeriu besimtar është më i gatshëm për të vënë raportin e drejtpërdrejtë me Madhërinë e Zotit të Gjithëmëshirshëm. Njeriu përmend të Gjithëmadhërishmin, kur ne duhet të marrim vendime morale. Kjo është ajo që nënkuptohet kur njeriu ngjeshet me “Takva” – Devotshmëri. Ky element na ndihmon për të marrë vendime të drejta, edhe pse kjo gjendje e dobësisë fizike trupore mund të përfshijë shqetësim të përkohshëm apo vështirësi.
Agjërimi e mëson njeriun me parime të dashurisë së sinqertë; sepse kur ai vëren se niveli i forcës fizike është dobësuar, ai duke qenë agjërueshëm posedon dashuri të thellë për Allahun. Njeriu që e do Allahun me të vërtetë, është pikërisht ai që vërtet di se çfarë realisht është dashuria e pastër.
Njeriu pajiset me një ndjenjë kreative të shpresës dhe një botëkuptim optimist për jetën; sepse ai është duke shpresuar për të kënaqur Allahun dhe është duke kërkuar mirësinë e Tij. Njeriun agjërimi e mbush me një virtyt të vërtetë, e që është devotshmëria efektive, duke e bërë kështu vërtet të sinqertë dhe të përkushtuar plotësisht për të qenë sa më afër Allahut, sepse kur ai agjëron, i mposht kërkesat materiale.
Agjërimi kultivon te njeriu një ndërgjegje vigjilente dhe të shëndoshë; sepse agjëruesi e mban agjërimin e tij në mënyrë të fshehtë, dhe jo vetëm në publik. Gjatë agjërimit, nuk ka asnjë autoritet që zakonshëm do të kontrollonte sjelljen e njeriut besimtar ose do ta bënte atë që, duke qenë vetë i vëzhguar, të detyrohet të agjërojë për të kënaqur Allahun. Vetëm një vigjilencë e këtillë e plotëson njeriu ndërgjegjen e tij, bëhet besnik që të agjërojë jo vetëm në publik, por edhe kur është në vetmi. Nuk ka, pra, mënyrë më të mirë për të kultivuar një ndërgjegje të këtillë shumë të shëndoshë te njeriu se sa kjo mënyrë.
Është një mësim efektiv në moderim të vullnetit njerëzor. Personi i cili agjëron, e vëzhgues i tij është vetë Agjërimi, me siguri se njeriu i tillë ‘i disiplinon’ dëshirat e tij të pasionuara dhe e mban veten e vet larg vendit të tundimit fizik. Besimtari i tillë është, pa dyshim, me personalitet e karakter të fuqishëm, me vullnet dhe vendosshmëri të pashembullt.
Agjërimi i siguron njeriut një shpirt të pastër për të kapërcyer me lehtësi barrierat edhe më të mëdha. Mendja e ndritur nuk i nxjerr atij rezultatin se një stomak i dobët është tërësisht i dështuar dhe joefektiv e joproduktiv, pasi materialja nuk dominon shpirtëroren, por e mbështet atë dhe nuk ka rol konkurrues, por ndihmës, në realizimin e objektivave të përcaktuar nga Krijuesi i materiales dhe shpirtërores.
Njeriu nga agjërimi përfiton një mënyrë të re të kursimeve të mençura dhe sigurim të një buxheti të shëndoshë; sepse kur ai ha më pak sasi ushqimore, ai shpenzon më pak të holla.
Agjërimi i mundëson njeriut të zotërojë artin e përshtatshmërisë në rrethana të ndryshme gjatë jetës. Kur ndodhin ndryshime, ai natyrisht duhet të përshtat veten në sistemin e ri të krijuar dhe, që këtej, duhet të lëvizë për të përmbushur objektivat e tij konform rregullave të reja të krijuara. Kjo, në afat të gjatë, zhvillon tek ai një ndjenjë të mençur të përshtatshmërisë dhe vetëkrijimit të një fuqie të re, për të kapërcyer vështirësitë e paparashikueshme në jetë. Një njeri që e vlerëson përshtatshmërinë konstruktive dhe ka gatishmëri të ngjallë guximin në vete, është pikërisht ai i vetmi që di të vlerësojë efektet e agjërimit.
Kur një person agjëron me rregull ditët e njëpasnjëshme të muajit të shenjtë, ai sigurisht ka futur veten në të aplikuar të një formë të lartë të disiplinës dhe shijimit të një ndjenjë të shkëlqyer të të respektuarit të rendit e të harmonisë së krijuar gjatë muajit të agjërimit; kjo jo vetëm në shoqëri, por edhe në organizmin e trupit të vet.
Agjërimi ngjall simpati për të varfrit dhe të uriturit. Te çdokush që ka përjetuar brejtje urie gjatë agjërimit, domosdoshmërisht lind një simpati për të varfrit, që është një përvojë e përbashkët. Gjatë muajit të agjërimit, së fundmi, është e zakonshme që besimtari të shprehë këtë simpati, duke e manifestuar atë me dhënie ushqim dhe ndarje lëmoshe, si një akt i rëndësishëm i bamirësisë. Kështu që, akti i dhënies lëmoshë – sadaka atyre që kanë nevojë është i detyrueshëm në fund të muajit të agjërimit; kjo me anë të dhënies së Sadekatul fitrit, që jepet në emër të çdo anëtari të familjes së atyre besimtarëve që kanë një mesatare të jetesës.
Uniteti, vëllazëria dhe bamirësia kultivohen si një trinom unikal pikërisht gjatë muajit të Ramazanit, muaj ky që kërkohet nga çdo mysliman të jetë i vetëdijshëm për ruajtjen dhe kultivimin e unitetit. Kjo manifestohet nga momenti kur shihet hëna e re, atëherë kur më e tërë bota myslimane hyn në disiplinën shpirtërore të agjërimit, duke qenë unik, të bashkuar, ofrojnë e bashkojnë zemrat dhe si një trup përqendrohen, duke qenë të bashkuar në lutje të drejtuara, të gjithë pa asnjë përjashtim, drejt Madhërisë së Allahut. Ndërgjegjësimi i ndërsjellë dhe simpatia reciproke mes myslimanëve patjetër duhet të jetë në rritje. Ajo duhet shprehur fillimisht me bërje të akteve bamirësie ndaj njëri-tjetrit, e pastaj edhe me të tjerët e që vetëm kështu mund të themi se besimtarët kultivojnë vlera dhe virtyte të larta shpirtërore.
Përmbyllim me fjalët se Muaji i bekuar i Ramazanit është një mysafir, e kur ky muaji i Shenjtë kalon, vetëm atëherë do të kuptojë besimtari se sa dhe çfarë mundësie ka humbur. Nuk dimë nëse do të jemi të privilegjuar përsëri të përjetojnë Ramazanin vitin e ardhshëm. E pra, a do t’i shfrytëzojmë këto mundësi që i kemi, se pa dyshim një ditë do të pendohemi për ditët e humbura dhe mundësitë e mëdha të humbura për të përfituar mëshirën hyjnore, faljen dhe shpëtimin.
(Autori është Myfti i Myftinisë së Strugës)