Populli laraman nëpër rrugët e Maqedonisë, nuk “thith” gips-karton
Shkruan: Zoran Bojarovski
Kur u paralajmërua projekti grandioz “Shkupi 2014″, shumë pak vetë supozuan se kjo ide do të fitojë karakteristika të inxhinjeringut të identitetit dhe të gjenocidit kulturor.
Në kontekstin politik, promovimi dhe fillimi i projektit “Shkupi 2014″ përputhet me serinë e dëshpërimeve nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, të cilat e shtynin në afat të pacaktuar hyrjen në këto dy organizata si rezultat i problemit me emrin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, edhe përkundër asaj se vendi është kandidat për anëtar të BE-ë që nga viti 2005. Frustracioni nacional, i mbështetur fuqishëm dhe i orkestruar nga pushteti nëpërmjet megafonëve mediatikë, i përforcua pas Samitit të NATO-s në Bukuresht në vitin 2008.
Kulminacioni i fushatës së këtij inxhinjeringu politik dhe të identitetit u arrit më 8 shtator 2011, gjatë festimit të 20-vjetorit të pavarësisë së vendit, kur “Luftëtari në kal”, gjegjësisht përmendorja e Aleksandar Makedonskit u “lëshua në përdorim”.
QËLLIMI ËSHTË TË SHPENZOHEN PARA
Ky projekt utilitar politik hasi në rezistencë në mesin e arkitektëve, urbanistëve, artistëve, si dhe te një pjesë e madhe e qytetarëve. Еkspertët e konsultuar në hulumtimin “Projekti ’Shkupi 2014’ dhe efektet e tij mbi perceptimin e qytetarëve të Shkupit për identitetin maqedonas”, të Instutit për shkenca shoqërore dhe humanitare (IShShH) në vitin 2013, shprehën qëndrim negativ për projektin, ndërsa njëri prej tyre edhe e definoi si “hakmarrje të provincës”. Sipas këtij hulumtimi, projekti nuk ka asnjë vlerë estetike, e as ndonjë efekte politik. Sipas tyre, qëllimi është të shpenzohen paratë.
Dhe me të vërtetë! Sipas bazës së të dhënave që e përgatiti ekipi gazetaresk i projektit për gazetari hulumtuese “Prizma”, nga vlerësimi i paralajmëruar se projekti do t’u kushtojë qytetarëve të Maqedоnisë 80 milionë euro, “Shkupi 2014″ nga xhepat e qytetarëve nxori 560 milionë euro. Deri tani!
Bashkësia akademike, e përfshirë në hulumtimin e IShShH-së, theksoi se ndërtimi i shpejtë i objekteve dhe i skulpturave është pasqyrë e qasjes totalitare. Të gjithë ekspertët kanë një qëndrim: “Në qoftë se qëllimi i “Shkupit 2014″ është të ndërtohet ose të përforcohet identiteti maqedonas, atëherë kjo bëhet në mënyrë krejtësisht të gabuar, duke e lënduar ndjenjën aktuale të identitetit ose duke krijuar konfuzion edhe më të madh.”
Hulumtimi tregoi se ka dallim të pakontestueshëm ndërmjet perceptimit të popullit të thjeshtë për “identitetin e vërtetë maqedonas” dhe atij që e promovon shteti.
Ky dallim i pakontestueshëm ndërmjet vlerave që i promovon “Shkupi 2014″ dhe vlerave që i përfaqësojnë qytetarët, të cilët tashmë katër javë zëshëm dhe në mënyrë shumë të dukshme e shprehin pakënaqësinë e tyre nga nomenklatura politike, e cila përveç inxhinjeringut të identitetit që u përpoq ta realizojë me këtë projekt, në kurriz e mban edhe barrën e korrupsionit serioz politik, mashtrimeve dhe dhunës politike dhe fizike.
Ambisi i vlerave ndërmjet qytetarëve të bashkuar në lëvizjen “Protestoj” dhe garniturës aktuale politike të personifikuar në koalicionin DPMNE-BDI, këto ditë vjen në shprehje në mënyrë shumë ilustruese.
Dhe, shumëngjyrëshe!
Taktika “full kolor” e aradhës për aksione guerile të lëvizjes “Protestoj” vendosi që t’i maskojë të gjitha objektet më të rëndësishe të projektit “Shkupi 2014″ dhe t’i shënojë si simbole të kriminalizimit dhe devijimit të përgjithshëm të gjithë sistemit të vlerave humane, të iniciuara nga grupacioni në pushtet, i cili ka implantuar gips-kartone, model të rikomponuar, turbofolk “kulturor” të krijuar nga strofkat më të talentuara, me infuzion partiak, të shundit.
IDOLATRIA E GIPS-KARTONIT
Mirëpo, për shkak se ngjyrosja e kodeve të rikomponuara të identitetit prej gips-kartoni dhemb, është dhënë urdhër për mbrojtje në ditët e fundit. Të mbrohen përmendoret e rikomponuara kulturore-historike. Idolët e ri.
“Shprehja e këtillë e primitivizmit, mospasja e ndjenjës elementare për kulturën dhe shtetin dhe e repsektit ndaj përmendoreve kulturore-historike, duhet të dënohet nga të gjithë qytetarët, reaguan nga Ministria për Kulturë.” (Mos i vandalizoni përmendoret)
Ky ishte sinjal për një ofensivë të re të mbështetësve të pushtetit, me çka filloi kanonada e re me municionin e vjetër-të ri, me të cilin huliganëve dhe mercenarëve tani ua shtuan edhe atë se pushojnë në Greqi, dhe nuk i përdhosin përmendoret e atjeshme kulturore-historike (Huliganët pushojnë nga protestat në Shkup, mirëpo e përdhosën Ohrin – a vandalizuan edhe në Greqi?). Nuk është lëshuar rasti që të vlerësohen si “rrahës dhe ngjyrosës” (Hipokrizia e ngjyrosësve: Kur përdhosin, shkatërrojnë dhe e rrahin policinë janë revolucionarë, e kur u kundërvihen atëherë janë viktima).
Kulmi i spinit është refreni i ulërimës mediatike në kor që protestat të barazohen me dhunën ndaj trashëgimisë kulturore (Мinistria për kulturë: A është qëndrimi i dhunshëm ndaj institucioneve kulturore dhe ndaj trashëgimisë kulturore alternativa që e ofrojnë “Protestoj” dhe LSDM-ja?) dhe pohimi në formë të “vezës së qyqes” se porta triumfale është përmendore e trashëgimisë kulturore (Porta Maqedonia është simbol i luftërave historike dhe i fitoreve të Maqedonisë dhe të popullit maqedonas!)
Ky pohim “kulmor” juridik-kulmor është mbuluar madje edhe në aspekt ligjor. Paramendni, “porta ka fituar status formal të trashëgimisë kulturore, për shkak se paska qenë pjesë e shkëputur e Muzeut të VMRO-së, i cili, është shpallur për trashëgimi kulturore në bazë të asaj se në të ka pasur vepra kulmore, artistike”.
Kuptohet, populli laraman nëpër rrugët e Maqedonisë nuk “thith” gips-karton dhe reagoi menjëherë.
“Është pak qesharake, ndërsa shumë dyfytyrëshe që pikërisht ngjyrosja e Portës triumfale i trazon pasionet dhe e zgjoi revoltën e gjoja të brengosurve për trashëgiminë kulturore-historike dhe kundërshtarëve të ashpër të “huliganizmit” modern. Ajo që vlerat dhe liritë demokratike janë shembur dhe me vite janë pëlhurë për shprehje karikaturale të pushtetit, nuk e ndezi impulsin e tyre për mbrojtjen e shtetësisë. Mirëpo porta vlen gjashtë milionë euro, kurse demokracia dhe liria, shihet qartë, as pesë para.” (Ua ndin juve për portën).
MURE NË KOKA
Kuliset skenografike si spektakël, sipërfaqësia si alternativë e përsiatjes, janë lexuar që moti, e poashtu është lexuar dhe demaskuar e gjithë procedura për shpalljen e portës për përmendore të kulturës. Shpallja e portës “Maqedonia” për trashëgimi kulturore vitin e kaluar hasi në kritika të publikut profesional.
Profesoresha dr. Donka Barxhieva-Trajkovska konsideron se në rastin e Portës “Maqedonia” është keqpërdorur neni i Ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ku thuhet se ex-lege shpallen për trashëgimi kulturore edhe ndërtesat ku ruhen përmbledhje të vlefshme.
“Me propozim të Qendrës konservatore në Shkup si trashëgimi kulturore janë shpallur Muzeu i Maqedonisë, ndërtesa e vjetër e Arkivit të RM-së (tani e reja në stilin barok), ndërtesa e Muzeut të ri arkeologjik, Shtëpia përkujtimore e Nënë Terezës, Muzeu i VMRO-së dhe Porta “Maqedonia”, e cila, paramendoni, paska qenë pjesë përbërëse e këtij “Muzeu”, i cili edhe vetë është kontestues, për shkak se në të ka më tepër figura dylli se sa origjinale! Kjo portë nuk ka asnjë vlerë, por është vetëm dëshmi për aktivitetet korruptive të “mafiokratisë”” – thotë Barxhieva. (Porta Maqedonia “kontrabandohet” si trashëgimi kulturore-historike?)
Një perspektivë kësaj përplasjeje të vlerave, para do kohësh dha edhe ueb-faqja kushtuar qyteteve të së ardhmes CityLab. Аutori i tekstit me titull „How Paint Became a Weapon in Macedonia’s ‘Colorful Revolution’“, shkroi:
“Nuk është për t’u çuditur që përmendoret (e Shkupit 2014, v.j.), shihen si simbole të iluzionit grandioz qeveritar dhe i represionit të mermerit dhe i skenave masonerike he në të cilat tani populli e shkruan frustrimin e tij me laramani ngjyrash. Kjo nuk është vetëm edhe një mënyrë për shprehjen e hidhërimit të murve të Shkupit. Në këtë qytet, muret janë problem në vete.”
Në rrugën drejt lirisë…
BURIMET:
- Huliganët pushojnë nga protestat në Shkup, mirëpo e përdhosën Ohrin – a vandalizuan edhe në Greqi?
- Mercenarët e Sorosit njëherë revolucionar, e gjithmonë viktima
- Hipokrizia e ngjyrosësve: Kur përdhosin, shkatërrojnë dhe e rrahin policinë janë revolucionarë, e kur u kundërvihen atëherë janë viktima
- МINISTRIA PËR KULTURË: Mos i vandalizoni përmendoret
- Porta Maqedonia është simbol i luftërave historike dhe i fitoreve të Maqedonisë dhe të popullit maqedonas!
- Porta Maqedonia “kontrabandohet” si trashëgimi kulturore-historike?
- How Paint Became a Weapon in Macedonia’s ‘Colorful Revolution’