Ka zëra të ndryshëm të cilët Urdhërin e parë të Shenjtë mundohen ta relativizojnë duke e mbështetur në kontekst të kohës, situatës dhe gjendjes së përgjithshme të myslimanëve të parë. Megjithatë, Fjalët e Krijuesit të Gjithësisë nuk zbresin për një kontekst kohor apo momental. Ato Urdhëra të Shenjta janë të përjetshme që vlejnë që nga moment i Shpalljes e deri në përjetësi
Shkruan: H. Sulejman ef. Rexhepi
Të dashur besimtarë, vëllezër e motra! Si çdo vit, edhe sivjet, Rijaseti i BFI në RM ka ndërmarrur sërë aktivitetesh për të shënuar ditën e lindjes së Pejgamberit tonë, Muhamedit s.a.v.s. U organizuan aktivitete të nduarnduarta, programe artistike e manifestime, përmes të cilave u madhërua Vula e pejgamberisë, por edhe u shfrytëzua rasti që të trokasim në ndërgjegjen tonë dhe të orientohemi kah e mira, kah e mbara, kah ajo drejt së cilës u angazhua një jetë të tërë vetë Muhamedi a.s.v.
Natyrisht, në raste të këtilla, e do nevoja që të përkujtohen virtytet, punët, kontributet dhe sukseset e atij të cilin e përkujtojmë! Për Pejgamberin tonë janë thënë fjalët më të bukura të mundshme, janë shkruar miliona kumtesa, miliona libra biografik e shkencor. Është studiuar nga këndvështrime të ndryshme derisa, më në fund, me të drejtë është llogaritur si njeriu më me ndikim në historinë e mbarë njerëzimit.
Është e rendit që, në momente të këtilla, të reflektojmë dhe të përpiqemi të përcjellim ndonjë mesazh të vlefshëm për ne dhe për pjesëtarët tanë. Më lejoni që, me këtë rast, fare shkurt t’ua mbaj përqëndrimin në një prej kompletit të virtyteve të përjetshme të Muhamedit a.s. i cili u zgjodh për t’u pajisur me Diturinë e Shenjtë dhe për të jetuar për diturinë. Kërkesa e tij për dituri, angazhimi i tij që pasuesit e vet të rendin pas diturisë, që muslimanët anekënd botës të shquhen për dituri, të jepen pas diturisë, pas leximit, ishte preokupim parësor që u bë moto dhe qëllim për Umetin e tij!
A mos rastësisht atij i zbriti shpallja e parë me këto fjali të shenjta: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte”. (El-‘Alek, 1-5)
Ka zëra të ndryshëm të cilët këtë urdhër mundohen ta relativizojnë duke e mbështetur në kontekst të kohës, situatës dhe gjendjes së përgjithshme të muslimanëve të parë. Megjithatë, Fjalët e Krijuesit të Gjithësisë nuk zbresin për një kontekst kohor apo momental. Ato Urdhëra të Shenjta janë të përjetshme që vlejnë që nga moment i Shpalljes e deri në përjetësi. Pa iu përkushtuar leximit, pa u pajisur me dituri, je i pavlefshëm në shoqëri, nuk vlen, je i margjinalizuar, je i hedhur tutje, i robëruar, vullnetarisht i nënshtruar. Këtë gjendje Islami nuk ia do askujt, prandaj edhe Shpallja nisë me “Lexo…”!
Muhamedi s.a.v.s. thotë: “Virtyti i diturisë është më i dashur tek Allahu se virtyti i adhurimit.″ Pse na paska kaq peshë të madhe dituria? Sepse, vetëm përmes diturisë ne mund të përballemi me injorancën, me të keqen, madje edhe t’i luftojmë këto dy veti tepër fatale për secilin. Ikja, largimi nga e keqja, është obligimi ynë dhe i secilës krijesë në këtë botë. Dhe kjo shmangie arrihet vetëm përmes fisnikërimit të shpirtit e të intelektit.
Gjithsesi, edhe për vepra të mira e të hajrit duhet dituria! I dituri do të dijë të udhëheqë me popullin e vet, me institucionet fetare, arsimore, kulturore, me organet shtetërore dhe me vetë shtetin. Do të dijë të mbrojë popullin nga e keqja, ta orientojë nga e mbara, do të pajiset me të gjitha nishanet e lidershipit të suksesshëm.
Vëllezër e motra, në momentin kur do të ndjeni lodhje nga leximi, nga të mësuarit, nga të ligjëruarit, dijeni që jeni në rrezik të kaploheni nga energjia negative e djallit. Dhe, kjo energji mund të luftohet dhe të ngadhnjehet mbi të, vetëm përmes diturisë, leximit, ligjërimit. I vetmi shpëtim për njeriun mbetet leximi, leximi, leximi – nxënia e diturisë. Le ta përmbyll këtë shkrim rasti edhe me këtë hadith të Pejgamberit tonë dhe le të shohim se ç’peshë i jepte ai diturisë dhe njeriut të ditur: ″Dituria është depoja e Allahut mbi tokë dhe dijetarët janë të besuarit e Tij që e ruajnë atë depo. Ndaj, kush vepron sipas dijes së vet, në të vërtetë ka hapur depon e Allahut.″
Janë të bekuar të gjithë ata që e arrijnë gradën për hapjen e kësaj Depoje. Zoti na bëfte prej të tillëve.