Çmimet e derivateve të naftës ulen për 2.5 denarë, që sot. Kryeministri Hristijan Mickoski u shpreh se bashkë me Ministrinë e Energjetikës dhe kompaninë OKTA kanë punuar në modelin që ju mundëson kompanive të marrin derivate më të lira. Sipas planit, OKTA nga sot do duhet të bëjë lirim prej 45-50%, kompanive që do të bashkëpunojnë me të, që do të thotë ulje për 2 denarë për litër.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Më pas kam biseduar me një pjesë të madhe të pronarëve të pompave të karburantit, të cilët më thanë se këtë do ua përcjellin edhe qytetarëve. Kështu që për shkak se KRRE e ka caktuar çmimin më të lartë, pres që pasi të publikohet kjo, gjatë ditës të ulen çmimet e derivateve të naftës për 2.5 denarë. Në para kjo i bie se një litër dizel do të kushtoj 1.35 euro”.
Mickoski u shpreh se edhe pse jemi vetëm disa qindra kilometra nga vendet e luftës, megjithatë vendi ynë mban çmimet më të lira të derivateve. Në shtetet fqinje potencoi ai, në Serbi është mbi 1.80, në Shqipëri 1.80, në Kosovë mbi 1.50, kurse në Evropë është mbi 2 euro. Për këtë fakt, ai tha se vende nga rajoni po vijnë për të mbushur karburant në vendin tonë. Mickosi njoftoi se të hënën që kaloi është shënuar piku historik më i madh i harxhimit të karburantit.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Numrin që ma thanë, pra bëhet fjalë për 2 milionë litër për një ditë. Kjo do të thotë se jo vetëm qytetarët vendas, por edhe nga vendet e rajonit, vijnë tek ne të mbushin karburant”.
Të hënën që lamë pas, pasi KRRE vendosi për rritje të çmimit të derivateve të naftës për 14.5 denarë dhe vendimi do të hynte në fuqi në mesnatë, gjatë ditës pompat e karburantit u vërshuan nga qytetarët, duke krijuar radhë shumë të gjata dhe bllokuan trafikun.
Emine Ismaili /SHENJA/


