Shqipëria dhe Serbia kërkojnë anëtarësim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian. Në një artikull të përbashkët për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e përshkruan idenë e tyre si një integrim funksional të pjesshëm që do të shërbente si hap i ndërmjetëm për të ringjallur procesin e zgjerimit të BE-së dhe për të rritur stabilitetin në rajon. Propozimi i tyre përfshin integrim gradual në tregun e përbashkët dhe në zonën Shengen, por pa të drejtë për komisioner në Komisionin Evropian, pa anëtar në Parlamentin Evropian dhe pa të drejtë vetoje — të gjitha këto janë të drejta që i gëzojnë shtetet anëtare të plota.
Në mesazhin e tyre drejtuar Bashkimit Evropian, ata thonë: “Është koha që BE-ja të pranojë se Ballkani Perëndimor përfaqëson një front të ri për investim në forcën e Unionit.” Ata deklarojnë se vendet kandidate tani së bashku kërkojnë një “rrugë reale” drejt anëtarësimit të plotë.
Integrimi i përshpejtuar i kandidatëve të përgatitur, sipas tyre, mund “të forcojë pozicionin ekonomik dhe politik të BE-së, pa e ngarkuar arkitekturën e vendimmarrjes së Unionit”.
Ndërkohë, eurokomisionerja për zgjerim, Marta Kos, tha të mërkurën se, Bashkimi Evropian nuk do të lejojë anëtarësimin e vendeve që mund të minojnë vlerat ose institucionet e tij.
“Jo për kuajt e Trojës! Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen anëtare të BE-së. Duhet të sigurohemi për këtë me çdo kusht. Vendet që bashkohen duhet të jenë demokraci të forta dhe të qëndrueshme, të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe aktorëve të tjerë,” deklaroi Marta Kos para Parlamentit Evropian.
Sipas saj, zgjerimi siguron paqe, siguri, liri dhe mirëqenie në BE. Në kontekstin e modelit të ri të zgjerimit, ajo theksoi se “nuk duhet të ketë kompromise kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat themelore, si dhe për harmonizimin me politikën e brendshme dhe të jashtme të sigurisë së Unionit.”
Teuta Buçi /SHENJA/


