Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Muçunski, në konferencën e sotme për mediat në Qeveri, informoi për progresin e evakuimit të qytetarëve tanë nga vendet e Lindjes së Mesme, duke theksuar se siguria e qytetarëve mbetet prioriteti kryesor i institucioneve, transmeton Anadolu.
“Që nga momenti i parë i përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, ne krijuam mekanizëm të përhershëm krize. Përmes shtabit të krizës dhe misioneve diplomatike dhe konsullore, ne ishim në komunikim 24-orësh me qytetarët maqedonas, me një qëllim të qartë – evakuimin e tyre të sigurt, në kohë dhe të organizuar”, tha Mucunski.
Ai theksoi se ky është operacioni i tretë kompleks i kësaj shkalle në 12 muajt e fundit, pas tragjedisë së zjarrit në Koçan dhe përshkallëzimit të parë të konfliktit Izrael-Iran. “Kjo edhe një herë konfirmon gatishmërinë dhe kapacitetin institucional të shtetit për të reaguar shpejt, në mënyrë të koordinuar dhe të përgjegjshme në situata krize”, vuri në dukje ministri.
Mucunski informoi se evakuimi nga Izraeli u zbatua me sukses për të gjithë personat që shprehën gatishmërinë e tyre për t’u larguar nga vendi me rrugë tokësore. Pesë persona u evakuuan me aeroplan qeveritar nëpërmjet Sharm el-Sheikh ndërsa për gjashtë persona misionet diplomatike dhe konsullore në Tel Aviv dhe Kajro ndihmuan në organizimin e kthimit të tyre me fluturime komerciale.
Lidhur me Emiratet e Bashkuara Arabe, ministri njoftoi se është kryer një fluturim me 151 pasagjerë, përfshirë shtetas të huaj. “Aktualisht, rreth 430 shtetas maqedonas janë të regjistruar në këtë vend, dhe dy fluturime të tjera janë planifikuar këtë javë”, tha Mucunski.
Përveç kësaj, në Doha janë regjistruar 162 persona, nga të cilët 89 kanë shprehur gatishmëri për evakuim ndërsa 36 persona janë raportuar në Kuvajt, 15 në Bahrein dhe 5 në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Për ta është planifikuar transport i organizuar deri në Riad si pikë qendrore grumbullimi, i ndjekur nga një fluturim direkt për në Shkup.
“Dinamika është e qartë – deri në mesin e kësaj jave, të gjithë shtetasit maqedonas që kanë kërkuar evakuim duhet të evakuohen”, shtoi ministri. Mucunski shprehu keqardhje që disa media kanë përhapur informacione të paverifikuara dhe dezinformata në një moment të ndjeshëm për qytetarët.
“Përhapja e lajmeve të rreme krijon panik të panevojshëm, minon besimin në institucionet që punojnë pa ndërprerje për sigurinë e qytetarëve dhe mund të dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të vendit”, theksoi ai.
Së fundmi, ministri përsëriti se Maqedonia e Veriut dënon pa mëdyshje sulmet ndaj partnerëve të saj dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë të drejtën ndërkombëtare. “Ne do të vazhdojmë të veprojmë me përgjegjësi, transparencë dhe në mënyrë të koordinuar, derisa shtetasi i fundit maqedonas që kërkon ndihmë të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi”, theksoi Mucunski.


