Kuvendit i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet e të cilit janë në fuqi, siç është ndalimi i daljes jashtë vendit, me një masë sigurimi më të rëndë, atë të arrestit, për një vepër penale që SPAK po heton që nga gushti i vitit 2024…
Deputeti socialist Ulsi Manja ka paraqitur në Grupin Parlamentar të PS-së qëndrimin e anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, ndërsa u shpreh se pretendimet e SPAK janë hipotetike.
Raporti i paraqitur nga Manja tregon qëndrimin e PS-së, sipas të cilit, nuk ka arsye për ashpërsimin e masave të sigurisë ndaj Belinda Ballukut, edhe pse deputeti socialist tha se gjithçka i takon Kuvendit të Shqipërisë.
Manja tha se jemi në kushtet kur kërkohet zëvendësimi i masës nga ajo e ndalimit të daljes jashtë shtetit në atë të arrestit.
“Deputetja Belinda Balluku, siç provohet nga relacioni i Prokurorisë së Posaçme, ka respektuar masën e parë të vendosur nga SPAK, atë të daljes jashtë vendit.
SPAK kërkon rëndimin e masës së sigurisë me pretendimin e shtimit të episodeve, rreziku i prishjes së provave, ikjes apo edhe kryerjes së një vepre penale më të rëndë”, tha Manja.
Manja tha se Kuvendi nuk ka tagrin për të gjykuar pasi nuk është Gjykatë, por ne ndajmë politikën nga drejtësia. Sipas tij, ashtu si edhe ne, edhe Belinda Balluku, e konsideron këtë si një ccështje drejtësie dhe vetëm drejtësie. Por Manja tha se deputeti nuk mund të arrestohet pa një autorizim nga Kuvendi dhe ne i qëndrojmë strikt procedurave.
“Dorëzojmë sot raportin e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Falënderoj kolegët e mi në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për trajtimin me seriozitet të kësaj çështjeje. Kemi diskutuar për relacionin dhe pretendimet e palëve në Këshill dhe kemi arritur të dakordësohemi për këtë raport.
Sot që po diskutojmë këtë raport, ka ndodhur një realitet i ri. Jemi përpara një realiteti të ri institucional. Deputetja Balluku nuk ushtron më funksione në Këshillin e Ministrave. Për pasojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale.
Edhe narrativa e SPAK, mbi të cilën është ndërtuar kërkesa, si “rreziku i prishjes së provave” apo arratisja, mbetet hipotetike. Kemi parë përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje në një tribunal mediatik. Ndaj është e domosdoshme që ne, si shumicë parlamentare, të flasim qartë, të ndajmë politikën nga drejtësia dhe zhurmën nga faktet.
Të nderuar kolegë, kërkesa e SPAK në fakt, në rastin e Ballukut, ndryshon nga kërkesat e tjera që kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë për marrjen e autorizimit për heqje lirie apo kontroll banese, pasi nuk është kërkesë për masë sigurimi për herë të parë.
Kuvendit i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet e të cilit janë në fuqi, siç është ndalimi i daljes jashtë vendit, me një masë sigurimi më të rëndë, atë të arrestit, për një vepër penale që SPAK po heton që nga gushti i vitit 2024”, tha ai.
Në raportin e lexuar në Grupin e PS-së, Manja ka bërë të ditur se kallëzimet ndaj Ballukut janë bërë nga Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi.
“Nuk gjykojmë fajësinë apo provat, por vlerësojmë respektimin e procedurave, nëse kërkesa është bërë me natyrë politike.
Fakti nëse kërkesa është bërë me natyrë politike, Belinda Balluku nuk pati pretendime për një kërkesë të motivuar politikisht, por Këshilli konstaton një fakt publik, kallëzimi i parë i bërë në gusht 2024 është bërë nga Lulzim Basha, ish kreu i PD.
Kallëzimi i dytë është bërë nga Gazment Bardhi. Në 2025, procedimet janë bashkuar në një të vetme që mban një numër unik procedimi në bazë të të cilës po zhvillohen hetimet“, tha Manja.
Më herët, Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, tha se të premten kemi dorëzuar raportin në Kuvend.
“Në 16 dhjetor 2025, pranë Kuvendit është depozituar nga SPAK një kërkesë që është kaluar për shqyrtim nga Peleshi.
Në Këshillin e Mandateve çdo deputet ka të drejtën e vet të vlerësimit, ne 5 deputetët anëtarë të Këshillit: unë, Peleshi, Maja, Çuçi dhe Çomo, kemi bërë gati një material rekomandues që do të prezantohet si përmbledhje nga Ulsi Manja”, tha Balla.


