“Pyjet Kombëtare”, HM “Infrastruktura”, RTM-ja, NTP-ja, “Ujësjellësi dhe kanalizimi” – Shkup. Këto janë disa nga ndërmarrjet publike dhe kompanitë shtetërore që janë gjithashtu edhe ndër punëdhënësit “më të mëdhenj”, duke punësuar mbi 500 persona. Ndërmarrjet publike janë në “rangun” e Këshillit të Prokurorëve Publikë – me numrin më të madh të punonjësve mbi moshën 54 vjeç, shrkuan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
“Pasqyra e gjakut” e NP-ve të menaxhuara nga shteti dhe komunat
Në nivel shtetëror ka gjithsej 159 ndërmarrje publike, nga të cilat shumica ose 116 janë ndërmarrje publike për shërbime komunale, 17 janë ndërmarrje transporti, 8 janë nga sektori i bujqësisë dhe pylltarisë, 2 ndërmarrje publike janë nga sektori i informimit dhe 1 nga sektori i shoqërisë informatike. Një grup prej 15 ndërmarrjesh publike janë nga sektorë të tjerë – sporti, planifikimi urban, energjia, trajtimi të kafshëve të pastreha.
“Te ndërmarrjet publike janë të punësuar gjithsej 16.415 persona“, tregojnë të dhënat për të punësuarit në sektorin publik.
Ndërmarrjet publike, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, janë punëdhënësit më të mëdhenj, shpesh të etiketuara si “çerdhe” të kuadrove partiake. Grupi i ndërmarrjeve publike dhe kompanive shtetërore me më shumë se 500 punonjës përfshin RTM-në, Pyjet Kombëtare, Ndërmarrjen Publike për Infrastrukturë Hekurudhore – Hekurudhat e RMV-së dhe të tjera) dhe ndërmarrjet publike të Qytetit të Shkupit (NTP, Higjiena Komunale, Ujësjellësi dhe Kanalizime dhe të tjera).
Konkretisht, NP “Pyjet Kombëtare” ka raportuar 1.518 punonjës, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup 1.050 punonjës, NTP Shkup 1.022 punonjës, NP “Higjiena Komunale” kishte 978 punonjës dhe NP HM – Infrastruktura kishte 721 punonjës.
Është pikërisht ky grup ndërmarrjesh publike që i gjeneron edhe humbjet më të mëdha.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të vitit 2025, Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura, me një borxh prej 80.400.000 eurosh ishte kompania me borxh më të madh në nivel shtetëror, NP RTM raportoi një borxh të papaguar në vlerë prej 5.410.000 eurosh, e ndjekur nga kompanitë e mëposhtme komunale: NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup me një borxh prej 18.300.000 eurosh, NTP me 10.000.000 euro, NP “Higjiena Komunale” – Shkup me detyrime të prapambetura, por të papaguara prej 5.766.200 eurosh, dhe “Pyjet Kombëtare”, e cila në fund të vitit 2025 kishte raportuar një borxh prej 250.000 eurosh.
Ndërmarrjet publike konsiderohen lidere jo vetëm për sa i përket borxheve, por edhe për sa i përket moshës së punonjësve. Ato janë në vendin e dytë me numrin më të madh të punonjësve mbi 56 vjeç, menjëherë pas Këshillit të Prokurorëve Publikë. Konkretisht, madje një e treta 33,04% e të punësuarve në NP janë të moshës prej 56 deri në 64 vjeç, 34,57% janë të moshës prej 46 deri në 55 vjeç, 21,62% janë të moshës prej 36 deri në 45 vjeç, ndërsa 10,5% janë të moshës 18 deri në 35 vjeç.
Kanë drejtorë, por nuk kanë punonjës…
Nga ana tjetër, në vend ka rreth 10 ndërmarrje publike komunale që kishin vetëm një punonjës, siç është për shembull Ndërmarrja Publike për Veprimtari Komunale Oktisi fshati Oktis – Strugë, Ndërmarrja Publike për Ujësjellës dhe Kanalizim PENDA Likovë, Ndërmarrja Publike Komunale “Ujësjellësi” – Haraçinë, Ndërmarrja Publike për Transport Publik Tetovë – Transport dhe të tjera. Në disa nga këto NP, punonjësi është drejtori. I tillë është rasti me NPK për ujësjellës dhe kanalizim – PENDA Likovë, NP për furnizim me ujë të pijshëm Ujësjellësi – Dollogozhdë, fshati Dollogozhdë, Strugë, NP për shërbime komunale Oktisi, fshati Oktis, Strugë, NP Kale Qendra e Zhupës, NPK Doming – Makedonska Kamenicë dhe NP për çështje komunale, prodhuese dhe shërbyese Kale PO Batec – Vinicë.
Sipas numrit të të punësuarve në ndërmarrjet publike komunale, NPK Tetova ka 92 të punësuar, NP Parkingu i Qytetit ka 70m ndërsa NPK Sharri – Tetovë ka 62 të punësuar. Ndërsa në Gostivar, në fund të vitit 2024, Ndërmarrja Publike Komunale – Komunalec Gostivar kishte 98 punonjës, ndërsa Ndërmarrja Publike Parkingu dhe Gjelbërimi i Qytetit kishte vetëm 4 punonjës.
Sipas të dhënave nga Agjencia për Administratë, shumica e ndërmarrjeve publike ose 143 janë themeluar dhe menaxhuar nga komunat dhe Qyteti i Shkupit, 13 NP janë themeluar nga Qeveria dhe 3 nga Parlamenti.


