BDI e Çairit ka reaguar ndaj, siç thotë, vazhdimit të ndërtimeve të objekteve të banimit në mënyrë të paligjshme ose në rrethana të dyshimta në territorin e komunës së Çairit. Sipas kësaj partie, këto ndërtime po realizohen me tolerim nga institucionet komunale, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për jetën e përditshme të banorëve. Nga BDI-Çair theksojnë se ndërtimet e pakontrolluara kanë sjellë probleme serioze infrastrukturore, si bllokim të rrugëve, mungesë të hapësirave për parkim, rritje të presionit mbi infrastrukturën ekzistuese dhe humbje të hapësirave publike.
Në reagimin e tyre, ata kritikojnë edhe vendimmarrësit lokalë, duke theksuar se shumë prej tyre nuk jetojnë në Çair, por në komuna të tjera, ndërsa sipas tyre, komunën e përdorin për përfitime financiare nga ndërtimet. BDI-Dega Çair i bëri thirrje publike Komunës së Çairit që të ndalojë menjëherë çdo tolerim ndaj ndërtimeve të paligjshme dhe çdo marrëveshje që, sipas tyre, mundëson uzurpimin e hapësirave publike.
“Institucionet ndëshkuese kanë detyrim ligjor të veprojnë. Nëse nuk veprojnë, përgjegjësia do të jetë e tyre”, thuhet në reagimin e kësaj dege partiake. Nga kjo parti paralajmërojnë se do të fillojnë identifikimin e çdo parcele dhe çdo hapësire publike ku dyshohet për ndërtime të paligjshme. Sipas tyre, çdo rast do të bëhet publik dhe do të denoncohet pranë institucioneve kompetente. “Qytetarët e Çairit kanë të drejtë të mbrojnë hapësirën e tyre dhe cilësinë e jetës”, theksohet në reagim, duke shtuar se kjo është një thirrje për institucionet që të ndërmarrin veprime konkrete për të ndalur këtë fenomen.


