Ministri Durmishi theksoi se Ligji për praktikat e padrejta tregtare ka qenë në fuqi që nga janari i vitit 2025 dhe se ai është tashmë i dukshëm, por në muajt në vijim do të monitorohet se si zbatohet nga tregtarët
Shkup, 4 mars – Vlera e gjobave të parapara me Ligjin për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare do të rritet dhjetëfish nëse tregtarët vazhdojnë të sillen kështu dhe të mos e respektojnë ligjin, në bazë të të cilit Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës (KMK) deri më tani ka shqiptuar 30 gjoba për katër kompani për shoqërim në kartel dhe për ata tregtarë priten vendime gjyqësore, tha sot Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në përgjigjen e pyetjes nga deputeti i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, shkruan gazeta KOHA.
Deputeti Kovaçevski pyeti se çfarë masash specifike me një afat të caktuar do të ndërmarrë Qeveria për të siguruar zbatimin konsistent të Ligjit për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare dhe për të parandaluar ndryshimet e pajustifikuara dhe drastike të çmimeve të produkteve identike në treg dhe rritjet e çmimeve në shitjet me pakicë, si dhe nëse Komisioni për Mbrojtjen nga Konkurrenca (KMK) është i pajisur me personel të mjaftueshëm për të identifikuar praktikat tregtare të kryera nga rrjetet e mëdha të supermarketeve.
“Dy vjet pas hyrjes në fuqi, në terren po vërehen devijime serioze, dhe sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës, çmimet e ushqimeve po shënojnë rritje dyshifrore, me indeksin e çmimeve për ushqim dhe pije joalkoolike në muaj të caktuar që tejkalon 10 për qind në vit. Kjo është e dukshme edhe nga rritja e shumës së shportës konsumatorie e cila tejkaloi 1.000 euro në muaj për familje, pavarësisht nëse përfshin qiranë apo, sipas diskutimit që po zhvillohet në Këshillin Ekonomik dhe Social, nuk do të përfshihet. Në të njëjtën kohë, prodhuesit vendas tregojnë për presione mbi çmimet e blerjes dhe shpenzime shtesë, tha Kovaçevski.
Ministri Durmishi theksoi se Ligji për praktikat e padrejta tregtare ka qenë në fuqi që nga janari i vitit 2025 dhe se ai është tashmë i dukshëm, por në muajt në vijim do të monitorohet se si zbatohet nga tregtarët. Ligji, theksoi ai, mbulon mbi 2.000 produkte, për të cilat tregtarët duhet të respektojnë rregullat.
“Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka shqiptuar 30 gjoba për katër kompani për shoqërim në kartel dhe rritje çmimesh, gjë që ndikoi që tregtarët e tjerë të rrisin çmimet së bashku me një odë ekonomike. Tani procedura është në gjykatë dhe pritet të merren vendime për këta tregtarë. Unë theksova disa ditë më parë, dhe para kësaj, se nëse tregtarët vazhdojnë të veprojnë në këtë mënyrë dhe nuk e respektojnë ligjin, do të ketë ndryshime në Ligj ku vlera e gjobës do të rritet dhjetëfish”, theksoi Durmishi.
Ai theksoi se në janar sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave ka ulje të inflacionit prej 0,7 për qind dhe stabilizim të çmimeve.
“Edhe në muajt e ardhshëm do të ndjekim dhe nëse ka nevojë për ndërhyrje dhe ndryshime do t’i propozojmë në Kuvend”, paralajmëroi Durmishi dhe shtoi se numri i anëtarëve të KMK është rritur prej tre në shtatë me qëllim që Komisioni të jetë funksional si në Bashkimin Evropian. Durmishi vlerësoi edhe se “shporta konsumatore që për çdo ditë promovohet nga sindikatat nuk është minimale, por shportë elitiste sepse janë përfshirë shumë produkte të cilat i shfrytëzojnë familjet”. “Edhe ata që e kanë përgatitur Metodologjinë thonë se nuk është shportë minimale, por bëhet për biseda të përditshme politike dhe publiku të mos informohet drejt sa shpenzime ka për një muaj”, tha Durmishi.
Pas mbledhjes së Këshillit Social – Ekonomik që u mbajt pardje Durmishi njoftoi se shporta mesatare konsumatore të cilën e përgatiti Qeveria është për 13 për qind më e lirë se shporta e konsumatorit të cilën e përgatit Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Nëse pranohet pritet të zbatohet nga fundi i këtij muaji. Me të përfshihen 101 produkte dhe sipas Durmishit, ajo është reale, gjegjësisht i pasqyron shpenzimet minimale të një familjeje. (koha.mk)


