Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur në një vizitë zyrtare Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, duke e vlerësuar këtë takim si një moment të rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Me shumë kënaqësi e mirëpritëm në Tetovë Presidentin e Shqipërisë, Sh.T. Bajram Begaj”, u shpreh Kasami, duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite për qytetin dhe për bashkëpunimin ndërshqiptar.
Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, si dhe për perspektivën e përbashkët evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Biseduam për raportet e forta mes dy vendeve tona dhe për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”, deklaroi ai.
Kasami nënvizoi se Tetova ka luajtur historikisht një rol të rëndësishëm si urë lidhëse në bashkëpunimin kulturor, arsimor dhe kombëtar, duke shtuar se vizita e Presidentit Begaj është dëshmi e vëmendjes që Shqipëria i kushton këtij bashkëpunimi.
Në përmbyllje, kryetari i Tetovës ritheksoi përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes shqiptarëve.


