Durim Bami, i ekstraduar një ditë më parë nga Dubai drejt Shqipërisë, ka paraqitur kërkesë zyrtare për t’u transferuar nga IEVP “Jordan Misja” (Burgu 313) në Tiranë, ku ndodhet aktualisht, drejt IEVP Fushë-Krujë.
Kërkesa është depozituar përmes avokatit të tij, Ilir Murati, me argumentin se jeta dhe integriteti i tij fizik janë në rrezik në institucionin ku po mbahet.
Sipas shkresës drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, në Burgun 313 dhe në disa IEVP të tjera ndodhen persona që në të kaluarën, sipas dosjeve penale, kanë qenë të përfshirë në tentativa për eliminimin fizik të Bamit. Në një proces që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme, ai rezulton në cilësinë e viktimës në një çështje që lidhet me grupe të strukturuara kriminale.
Avokati pretendon se qëndrimi i tij në të njëjtin ambient me persona që paraqesin rrezik për të krijon një situatë serioze dhe aktuale kërcënimi. Në kërkesë theksohet se administrata e burgjeve ka detyrimin ligjor të garantojë sigurinë e çdo personi të privuar nga liria dhe se mosmarrja e masave parandaluese do të përbënte shkelje të detyrimeve ligjore.
Mbrojtja kërkon transferimin e menjëhershëm të Bamit në IEVP Fushë-Krujë, duke argumentuar se aty nuk ndodhen persona me të cilët ai ka konflikt dhe se institucioni është gjithashtu më pranë vendbanimit të tij. Gjithashtu, kërkohen masa emergjente sigurie deri në realizimin e transferimit.


