Shoqata e Prokurorëve Publikë (SHPP) u bën thirrje të gjitha partive politike dhe funksionarëve që të respektojnë parimin e ndarjes së pushteteve dhe të shmangin deklaratat që rrezikojnë pavarësinë e prokurorëve në vendimmarrje.
“Në ditët e fundit, disa politikanë kanë bërë deklarata të papërgjegjshme, duke emëruar dhe komentuar për prokurorë të caktuar dhe vendime specifike, pa qenë të njohur me rastin dhe provat,” thuhet në komunikatën e Shoqatës.
SHPP përmend si shembull komentet mbi masën e arrestit shtëpiak për një të dyshuar në rastin “Lotaria Shtetërore” dhe thekson se politikanët duhet të përmbahen nga retorika e tillë.
Shoqata thekson se nuk ka autoritet të komentojë vendimet individuale të prokurorëve, por ka detyrimin të mbrojë pavarësinë e tyre në ushtrimin e detyrës.


