Mashtrimi me kriptovaluta në Gostivar: 65-vjeçari bie pre e profilit “E.K.”, humb mijëra denarë
GOSTIVAR – Një 65-vjeçar nga rrethina e Gostivarit ka rënë pre e një skeme mashtrimi në rrjetet sociale, duke humbur një shumë prej 22.000 denarësh. Sipas denoncimit të bërë në polici, viktima ishte joshur nga ideja e tregtimit me kriptomonedha përmes një profili me iniciale E.K.
Ngjarja ka nisur me një pagesë fillestare prej 12.000 denarësh, të cilën i moshuari e ka depozituar në bankë në emër të personit M.K. Menjëherë pas kësaj, mashtruesit e kanë njoftuar se ai kishte fituar një shumë të madhe parash, por që për t’i tërhequr ato, duhej të paguante edhe 10.000 denarë të tjerë si tarifë.
Pasi ka kryer edhe pagesën e dytë, 65-vjeçari ka marrë sërish mesazhe ku i kërkoheshin para shtesë. Në këtë moment, ai ka kuptuar se ishte viktimë e një mashtrimi dhe ka njoftuar menjëherë policinë. Sektori i Punëve të Brendshme në Gostivar po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve pas profileve false.


