Raporti i Vajc është një konfirmim tjetër se Qeveria e shtyn vendin drejt izolimit, thonë nga LSDM-ja, një ditë pas publikimit të detajeve nga raporti i referuesit për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc. Në raportin që do të prezantohet para Komitetit për Punë të Jashtme, Vajc thekson se procesi i anëtarësimit të vendit në BE aktualisht është i bllokuar, ndërsa përparimi në fushat kyçe si sundimi i ligjit, reformat në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit mbetet i pamjaftueshëm.
“Mesazhi nga Brukseli është i qartë, zgjerimi mund të përshpejtohet, por vetëm nëse ka reforma të vërteta dhe sundim të ligjit. Ne shohim korrupsionin dhe krimin që lulëzojnë në Maqedoni çdo ditë, dhe jemi dëshmitarë të tenderëve kriminalë çdo ditë. Dhe gjithashtu shohim heshtje të plotë nga institucionet kompetente, të cilat duhet të veprojnë mbi këto informacione që dalin në publik”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Edhe për opozitën shqiptare, raporti vërteton se reformat në gjyqësor janë jetike kurse lufta kundër korrupsionit nuk duket aspak pavarësisht deklaratave pompoze të qeverisë.
“Maqedonia e Veriut ka ngecur në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Pikërisht edhe në këtë raport janë të përfshira të njëjtat pika, siç është ngecja e reformave në shtetin e së drejtës dhe në drejtësi dhe lufta e zbehtë kundër korrupsionit. Ndërsa ajo që është më e rëndësishme është pamundësia e ndryshimeve kushtetuese që është kushti i parë në rrugëtimin drejt BE-së”, tha Skender Rexhepi, Fronti Evropian.
Një ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski, në intervistë për Kanal 5, tha se ekziston një ide në Bruksel në kuadër të planit të paqes për Ukrainën, që parasheh anëtarësimin e plotë të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi deri në vitin 2027. Por reformat në gjyqësor dhe ndryshimet kushtetuese, pritet të jenë kusht edhe në këtë rast.
“Të marrim pjesë në punën e Këshillit dhe komisioneve por pa të drejtë vote, me shumë mekanizma të brendshme kontrolli që ata i quajnë “safeguards”, të mos kemi komisioner dhe gradualisht t’i mbyllë kapitujt dhe ashtu si t’i mbyllë kapitujt, të integrohemi në përputhje me standardet e BE-së”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ambasadori i BE-së në vend Mihalis Rokas, edhe në paraqitjen e fundit publike në intervistë për Alsat theksoi se nuk ka rrugë tjetër drejt BE-së për vendin që anashkalon ndryshimet kushtetuese. /Alsat.mk


