Një familje katëranëtarëshe në shkurt ka pasur nevojë për 969 denarë më shumë krahasuar me muajin e kaluar vetëm për të mbuluar nevojat bazë. Shporta minimale sindikale është rritur për gati 1 mijë denarë dhe tani arrin në 67.382 denarë. Nëse familja jeton në banesë me qira, shpenzimet totale mujore arrijnë në 82 mijë e 757 denarë.
Vetëm për ushqim dhe produkte bazë ushqimore, një familje katëranëtarëshe ka pasur nevojë për mbi 25.000 denarë, që është më shumë se një pagë minimale. Shporta minimale sindikale shënon rritje pothuajse në të gjitha kategoritë që janë të domosdoshme për mbijetesë bazë.
“Me pagën në Maqedoni a jetohet apo mbijetohet? – Mbijetohet”, tha një qytetar.
“Këtu nuk jetohet. Çmimet janë katastrofë. Mund të dilet në fund të muajit? – Jo, nuk mundet, unë personalisht nuk mundem”, u shpreh një qytetar tjetër.
Sipas kryetarit të LSM-së, Sllobodan Trendafilov, vetëm për dy muaj rritja e çmimeve e ka “ngrënë” harmonizimin e paralajmëruar të pagës minimale prej 1.500 denarësh. Ai thekson se familjet janë më të varfra për rreth 2.000 denarë në një periudhë prej vetëm dy muajsh.
“Për 24 muaj, pra aq kohë sa refuzuan ta rrisin pagën minimale, vlera e shportës minimale sindikale është rritur për më shumë se 10.000 denarë. Prandaj, në vend që të përplasen mbi kurrizin e punëtorëve, parlamenti dhe partitë politike duhet të qëndrojnë me ta, ta votojnë pagën minimale të re, e cila duhet të arrijë në 600 euro, dhe t’i rrisin të gjitha pagat e tjera për të paktën 6.000 denarë, sepse jeta dukshëm është e mirë vetëm për pronarët dhe funksionarët në Maqedoni, ndërsa punëtorët po fundosën në varfëri”, tha Sllobodan Trendafilov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.
Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, produktiviteti në Maqedoni arrinë rreth 34 dollarë për orë pune, që është mbi mesataren botërore prej 23,27 dollarësh. Në nivel mujor, një punëtor me 168 orë pune krijon vlerë prej afërsisht 297.000 denarësh. Megjithatë, paga minimale neto në Maqedoni është 24.379 denarë në muaj.
Kjo do të thotë se një punëtor me pagë minimale merr vetëm 17% të vlerës që mesatarisht krijohet çdo muaj. Në kontekst rajonal, Maqedonia shënon produktivitet të afërt me Bullgarinë dhe më të lartë se Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Shqipëria. Megjithatë, pavarësisht produktivitetit relativisht të mirë, pagat në vend mbeten më të ulëta krahasuar me disa nga shtetet fqinje./ Alsat.mk


