Zemërimi në kampin e Barcelonës pas ndeshjes ndaj Atlético de Madrid ka arritur kulmin. Drejtuesit, stafi teknik dhe lojtarët po shqyrtojnë seriozisht paraqitjen e një ankese formale në Federatën Mbretërore Spanjolle të Futbollit për gjykimin dhe vendimet e VAR-it.
Në qendër të polemikave është arbitri Juan Martínez Munuera, performanca e të cilit ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te blaugranët.
Dështimi i sistemit gjysmë-automatik
Klubi katalanas është veçanërisht i revoltuar për faktin që sistemi gjysmë-automatik i pozicionit jashtë loje nuk u aplikua në rastin e golit të anuluar të Pau Cubarsí. Aksioni u rishikua për rreth gjashtë minuta e gjysmë dhe në fund goli, që do ta çonte rezultatin në 4-1, u anulua.
Sipas shpjegimit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve, sistemi dështoi për shkak të “densitetit të lartë të lojtarëve në zonë”, duke e detyruar VAR-in të vizatonte manualisht vijat e pozicionit jashtë loje. Ky arsyetim nuk ka bindur aspak Barcelonën.
Revoltë edhe për ndërhyrjen ndaj Baldé
Pakënaqësia lidhet edhe me faktin që Giuliano Simeone nuk u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Alejandro Baldé në pjesën e dytë. Më herët, trajneri Hansi Flick kishte theksuar se lojtari i Atleticos duhej të ishte ndëshkuar që në aksionin e parë të ndeshjes.
Barcelona do ta vlerësojë situatën përfundimisht në orët në vijim, por gjithçka tregon se klubi do të depozitojë një ankesë zyrtare në RFEF, duke kërkuar sqarime për vendimet që, sipas tyre, ndikuan drejtpërdrejt në rezultat.


