Heqja e të drejtës diskrecionare të drejtorëve për të zgjedhur gjatë punësimit të kuadrit mjekësor në shëndetin publik, kaloi në seancën e sotme të 12-të të Komisionit kuvendor për shëndetësi. Propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për mbrojtje shëndetësore me procedurë të shkurtuar, përcillet në seancë plenare të Kuvendit.
Deputetja Jovana Mojsoska nga E Majta tha se bëhet fjalë për ndryshim të Ligjit për mbrojtje shëndetësore. Ajo tha se në të kaluarën ka pasur praktikë negative me ç’rast është shfrytëzuar e drejta e drejtorëve të institucioneve shëndetësore, gjatë punësimit të kuadrit mjekësor.
“Kjo e drejtë diskrecionare ka rezultuar katastrofike dhe është kritikuar nga mediat se kandidatët më të mirë të rangut nga kuadri mjekësor nuk punësohen, por përkundrazi punësohen kandidatë më të ulët. Kjo gjithashtu vë në pikëpyetje cilësinë e sistemit të kujdesit shëndetësor. Dhe cilësia dhe integriteti i kuadrit duhet të jenë vlera më e lartë. Ne besojmë se duke hequr këtë të drejtë diskrecionare të drejtorëve, për të cilën ekziston një interpretim autentik se paraqet një lloj diskriminimi, më në fund do të korrigjohet një padrejtësi. Kjo do ta përmirësojë ndjeshëm sistemin e kujdesit shëndetësor, i cili, veçanërisht në kujdesin shëndetësor publik, është në terren të lëkundur, siç tregojnë edhe të dhënat”, shtoi Mojsoska.
Ajo tha se shteti në vitin 2024 ka humbur mbi dy mijë infermierë, çdo vit humb mbi dyqind mjekë.
Aleksandra Nikollovska, deputete e VMRO-DPMNE-së, shprehu kënaqësi që fjalimi i saj i parë para këtij komisioni është pikërisht me temën e fushës së saj profesionale. Sepse, siç theksoi, shëndetësia, si një tregues kyç për zhvillimin dhe mirëqenien e një shteti, nuk guxon të varet nga vullneti individual, por duhet të bazohet në rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë.
Ajo nënvizoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme për mjekët e rinj, të cilët investojnë vite të tëra punë dhe presin trajtim të drejtë dhe korrekt.
Sipas saj, me miratimin e këtij ligji, dërgohet një mesazh i qartë se interesi publik është mbi interesat individuale dhe partiake dhe se cilësia duhet të jetë kriteri i vetëm që vendos.
Si propozues të propozim-ligjit u nënshkruan deputetët Amar Mecinoviq, Borisllav Krmov, Dimitar Apasiev, Jovana Mojsoska, Rexhep Ismail dhe Sashko Jançev.


