Katër anëtarët e familjes shqiptare Kola që humbën jetën në Itali, ditën e nesërme do të nisen për në Shqipëri, ku do të prehen përgjithmonë në zonën e tyre të lindjes në Peqin.
Sipas mediave italiane, nga analizat toksikologjike rezultoi se ata humbën jetën nga helmimi i gazit që kishte rrjedhur nga kaldaja. Zyra e Prokurorit të Luccës ka miratuar riatdhesimin e tyre.
Ndërkohë, nesër do të jetë ditë zie në Porcari, siç ka njoftuar kryebashkiaku Leonardo Fornaciari. Nuk do të ketë ceremoni, por arkivolet me trupat do të bëjnë një ndalesë të shkurtër në Piazza Felice Orsi në orën 9:00 të mëngjesit përpara se të nisen për në Shqipëri.
“Nesër, të mërkurën, më 11 shkurt, në orën 9:00 të mëngjesit, kushdo që dëshiron t’i përshëndesë do të mund ta bëjë këtë në Piazza Felice Orsi, ku do të ketë një ndalesë të shkurtër përpara se të niset për një udhëtim të gjatë”, shkroi kryebashkiaku.
Arti e Jonida Kola dhe dy fëmijët e tyre Hajdar 22 vjeç dhe Xhesika 15 vjeç humben jetën në mënyrë tragjike në banesën e tyre në Itali më 5 shkurt. Ata u gjetën të pajetë nga forcat e policisë dhe emergjencave, pasi ishin helmuar nga monoksidi i karbonit.


