Prokuroria e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me goditjen e tre Call Centerave mashtrues që vepronin ndaj shtetasve të BE-së, duke premtuar rikuperim të parave të humbura në investime dhe investim në bursa fiktive.
Në total janë caktuar 9 masa sigurie, 7 arrest në burg, ndërsa për dy ndalim daljeje jashtë vendit dhe detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Po ashtu, thekson Prokuroria, gjatë operacionit janë arrestuar në në flagrancë 5 persona në ambientet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm.
Prokuroria thotë se shtetasit E.D., M.H., T.A., L.T., Xh.M., M.L., Xh.H., A.B., L.C., K.D., E.H., E.T., B.B., K.B., K.Sh dhe A.K., mashtronin nëpërmjet aktivitetit të call-center-ave shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Europian, duke iu shkaktuar humbje të mëdha financiare.
Skema e mashtrimit
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit vepronin të organizuar në grupe sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht dhe italisht), me struktura 6–8 agjentësh të mbikëqyrur nga drejtues. Operatorët kontaktonin qytetarë italianë, gjermanë dhe austriakë duke u premtuar rikuperimin e fondeve të humbura në investime online. Më pas i udhëzonin të hapnin llogari në platforma të rreme si “Coin Baze” dhe të kryenin një depozitë fillestare prej 500 euro.
Punonjësit kishin role të ndara, përdornin pseudonime dhe username, ndërsa përfitonin paga mujore rreth 800 euro. Hetimet tregojnë se këto struktura funksiononin si rrjete të organizuara me hierarki të qartë dhe aktivitet ndërkufitar, duke shkaktuar humbje që dyshohet se tejkalojnë 50 milionë euro, kryesisht në Austri dhe qytete të tjera europiane.
“Këto call-center-a funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime. Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.”, thotë prokuroria.
Të huajt binin në kurth përmes reklamave të rreme me një personazh të famshëm, që i çonin në platforma mashtruese investimesh. Më pas, pasi depozitonin para, ato kalonin në kriptomonedha, ku T.A. dhe M.H. dyshohet se i kanë marrë dhe i kanë transferuar në adresa të tjera kripto, duke u konsideruar përfitues fundorë të parave.
“Të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm. Prokuroria identifikoi se shtetasit T.A. dhe M.H., gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto. Këta dy shtetas janë përfitues fundor të kriptovalutave të këtyre Call Centerave.”, shton Prokuroria.
Pas gjurmimit të transaksioneve, u zbulua se kompanitë “IOTA Netëork”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream creative” dhe “Koppa Netëork” janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe dyshohen si fiktive, të përdorura si mbulesë për call center-at mashtrues.
Prokuroria thekson se gjatë kontrolleve u sekuestruan 891,735 euro cash, 443 kompjuterë, 238 telefona celularë, 6 laptopë, si dhe pajisje të ndryshme elektronike si HDD dhe DVR, që dyshohet se përmbajnë të dhëna të rëndësishme për hetimin.
NJOFTIMI I PLOTË I PROKURORISË SË TIRANËS
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, në bashkëpunim me autoritetet austriake, mbështetjen e Eurojust, EUROPOL dhe drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, u bë e mundur goditja e disa call-center-ave në Tiranë, që çuan në dhënien e masave të sigurimit ‘Arrest me burg’ për 7 persona, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për 2 shtetas, dhe u arrestuan në flagrancë, në kushtet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, 5 persona.
Në vijim të hetimeve 2-vjeçare mbi procedimin penal nr.3377 për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b, parag. II, i Kodit Penal, ndaj shtetasve E.D., M.H., T.A., L.T., Xh.M., M.L., Xh.H., A.B., L.C., K.D., E.H., E.T., B.B., K.B., K.Sh dhe A.K., rezultoi se pas informacioneve të marra nga autoritetet Austriake, këta shtetas mashtronin nëpërmjet aktivitetit të call-center-ave shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Europian duke ju shkaktuar humbje të mëdha financiare.
Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndaheshin në grupe të ndryshme sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht, italisht) dhe synonin tregje të caktuara ndërkombëtare. Çdo grup përbëhej nga 6-8 agjentë dhe mbikëqyrej nga drejtuesi që i monitoronte. Puna e personave që zotëronin gjuhën Italiane, konsistonte në kryerjen e telefonatave të qytetarëve Italianë ku i ofronin shërbimin e rekuperimit të parave, të cilat i kanë humbur në investime të mëparëshme në ‘trading online’ dhe në rast se personat ishin të interesuar, i udhëzonin më pas të hapnin një llogari në “Coin Baze”, me depozitim fillestar 500 Euro. Detyra e operatorëve ishte vetëm të bindnin klientët për të bërë pagesën fillestare prej 500 Euro dhe paga mujore e tyre ka qenë rreth 800 euro, të cilën një pjesë e merrnin në dorë dhe pjesën tjetër në bankë. Secili prej punonjësve kishte username dhe vepronin me pseudonime.
Këto call-center-a funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime. Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.
Personat e mësipërm dyshohet se kanë nxitur qytetarët e dëmtuar, nëpërmjet paraqitjes së rrethanave të rreme, për të besuar se shumat e transferuara do të investoheshin realisht. Si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme, autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë, për vete ose për llogari të personave të tretë, pasi të dëmtuarit, për shkak të mashtrimit, kanë transferuar shuma të konsiderueshme parash, të cilat në total vlerësohet se tejkalojnë shumën prej 50 milionë euro.
Të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm. Prokuroria identifikoi se shtetasit T.A. dhe M.H., gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto. Këta dy shtetas janë përfitues fundor të kriptovalutave të këtyre Call Centerave.
Skuadra e përbashkët hetimore e krijuar në shtator 2025, midis Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Prokurorisë së Vjenës, arriti të dokumentojë transaksionet e kryera në dëm të shtetasve austriakë të dëmtuar. Nga hetimet rezultoi se subjektet, “IOTA Network”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream creative” dhe “Koppa Network” janë të lidhur me njëri-tjetrin si nga numri i telefonit i lënë në QKB, adresat e e-mailit dhe adresat e ushtrimit të aktiviteteve dhe në pjesën më të madhe dyshohet se janë fiktive dhe kanë operuar si call-center-a. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto skema mashtruese.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë gjatë kontrolleve në subjektet e mësipërme u sekuestruan:
891,735 euro;
443 kompjuterë;
238 telefona celularë;
6 laptop; dhe
HDD, DVR.
The post Goditja e 3 Call Centerave, Prokuroria e Tiranës zbardh skemën: Si i mashtronin agjentët qytetarët e vendeve të BE! Përfituan 50 milionë euro appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

