Kryeministri Hristijan Mickoski nuk heq dorë nga qëndrimi që paga minimale të rritet në mënyrë lineare. Megjithatë ai shprehet se nëse arrihet marrëveshje mes punëdhënësve dhe punëtorëve, ata vetëm do ta përshëndesin vendimin e tyre. Mirëpo, kjo siç shtoi do të paraqes problem për Sindikatat me të cilat sot u arrit marrëveshje për rritje graduale të pagave.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Nëse arrihet marrëveshje mes punëdhënësit dhe punëtorët, atëherë praktikisht ne mund vetëm ta mbështesim dhe përshëndesim, por atëherë do duhet që edhe kjo marrëveshje që e kemi me këta dy degë të sindikatave, ta nivelizojmë, sepse atëherë llogaritja në metodologji do të tregojë se përputhshmëria me pagën minimale është shumë e lartë, e rritur me një përqindje të caktuar dhe ne ato para në buxhet nuk i kemi”.
Mes kryeministrit dhe Sindikatave të punonjësve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve dhe asaj të Administratës shtetërore, u arrit marrëveshje për rritje të pagave deri në 40% deri në vitin 2028.
Bllagoja Rallpovski, Kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira
“Sot drejtësia përfundimisht ra në vend. Kjo rritje duhej të ndodhte para një viti. Por, dua të them se ky është një moment historik. Ne nuk do të ndalemi këtu dhe do të vazhdojmë me bisedime sepse e dijmë se Marrëveshje Kolektive në Sektorin Publik ka skaduar dhe duhet të ulemi dhe të nisim një të re”.
Tërpe Deanovski, Sindikata e Administratës së Gjyqësorit
“Pas 1 vit e gjysmë bisedimesh arritëm marrëveshje me Qeverinë, pra për rreth 10 000 punonjës do të nënshkruhet marrëveshje kolektive për secilin individualisht, me çka përfundimisht të punësuarit e gjyqësorit do të kenë metodologji të rritjes së pagave”.
Përndryshe, në marrëveshjen me kryeministrin nuk përfshihet Lidhja e Sindikatave e Maqedonisë, e drejtuar nga Sllobodan Trendafilov, e cila ka paralajëmruar që të martën do të bllokojë Kuvendin, duke kërkuar rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe të gjitha pagat e tjera për të paktën 6.000 denarë.
Emine Ismaili /SHENJA/


