Rritja e mandatit të rektorëve nga tre në katër vjet, mbyllja e programeve studimore me shumë pak studentë, rizgjedhja e profesorëve të rregullt çdo shtatë vjet dhe përparësi në punësim për studentët më të mirë janë disa nga risitë që parashikojnë ligjet e reja për arsimin e lartë, për cilësinë në arsimin e lartë dhe shkencë, si dhe për veprimtarinë kërkimore-shkencore, të prezantuara nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Dy ligjet e para nga e hëna janë publikuar në sistemin ENER dhe janë të hapura për komente nga publiku.
Janevska tha se në përgatitjen e propozimeve kanë marrë pjesë mbi 60 profesorë, institucione përkatëse, përfaqësues studentësh dhe ekspertë. Ajo theksoi se studentët që studiojnë me bursë shtetërore në një nga 100 universitetet më të mira në botë sipas listës së Shangait, ata që studiojnë në Maqedoni dhe janë fitues të “Unazës Inxhinierike”, apo janë shpallur studentët më të mirë të universitetit, do të kenë përparësi në punësim në universitetet shtetërore si staf akademik.
Parashikohet edhe model i ri financimi për institucionet e arsimit të lartë, me komponent zhvillimor dhe komponent të veçantë për sukses, që do të thotë më shumë mjete për universitetet që përmbushin kritere më të larta.
Do të ashpërsohen kriteret për avancim akademik. Kandidatët për docent, profesor i asociuar apo profesor i rregullt do të duhet të publikojnë 6-7 punime shkencore, prej të cilave 3-4 në revista me faktor impakti në bazat Web of Science ose Scopus. Sipas ministres, për t’u renditur ndër 1.000 universitetet më të mira në listën e Shangait, një universitet duhet të publikojë të paktën 1.200 punime në vit, ndërsa universitetet në vend aktualisht publikojnë 300-500 punime në vit.
Profesorët aktualë do të kenë lehtësime në procedurat e rizgjedhjes. Profesorët e rregullt do të rizgjidhen çdo 7 vjet, ndërsa ata tashmë të zgjedhur nuk do të përfshihen në dispozitat e reja. Mandati i rektorëve do të jetë 4 vjet dhe do të ndryshohet edhe modeli i zgjedhjes së tyre.
Ligji parashikon edhe studime profesionale në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë me kalueshmëri drejt studimeve akademike, si dhe programe të shkurtra specializimi. Këshilli Kombëtar për Arsim të Lartë dhe Shkencë do të ketë më shumë kompetenca.
Buxheti për mbështetjen e veprimtarisë kërkimore-shkencore ka qenë 380 milionë denarë në vitin 2024, ndërsa këtë vit është rritur në 773 milionë denarë. Parashikohet edhe riorganizimi i Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë, e cila deri më tani ka kryer vetëm akreditime, por jo evaluime.
Në vend të dy bordeve për akreditim dhe evaluim, do të formohet një Këshill i vetëm me komisione profesionale, i cili do të përcaktojë procedurat për evaluim, vetëvlerësim, akreditim dhe mbikëqyrje të institucioneve të arsimit të lartë dhe subjekteve kërkimore. Ligji për veprimtarinë kërkimore-shkencore parashikon gjithashtu kategorizimin e institucioneve shkencore, financimin e projekteve dhe përcaktimin e qartë të procedurave për zgjedhje në tituj shkencorë.


