Ergys Muzhaqi
Ndryshe nga rikthimi politik i vitit 2005, realiteti i sotëm është shumë më i ashpër dhe më i ndërlikuar. Qeveria socialiste, edhe pse e zhytur thellësisht në korrupsion, nuk është e përçarë. Ajo që e mban në këmbë nuk është doktrina apo bindja ideologjike, por një rrjet interesash të konsoliduara që ushqehen nga pushteti dhe e mbrojnë atë me çdo kusht. Në anën tjetër, bota rreth nesh ka ndryshuar rrënjësisht. Prej më shumë se dy dekadash, rendi ndërkombëtar po riformatohet dhe demokracia, sado e rëndësishme në diskurs, nuk është më kriteri i vetëm që përcakton aleancat. Vendimet reale merren mbi interesa force, sigurie, energjie dhe influence, dhe kjo është një e vërtetë me të cilën duhet përballur pa iluzione.
Në këtë realitet të ri, opozita shqiptare nuk humbi vetëm pushtetin elektoral, por humbi gradualisht edhe aftësinë për të komunikuar me gjuhën e politikës ndërkombëtare. Ajo vazhdoi të besojë se marrëdhëniet trashëgohen nga e shkuara, se miqësitë janë të përhershme dhe se parimet mjaftojnë për të ndërtuar mbështetje. Por politika globale nuk funksionon kështu. Aleancat ndërtohen çdo ditë dhe ruhen vetëm nëse janë të dobishme për të dyja palët.
Edi Rama e kuptoi këtë shumë herët. Ai erdhi në pushtet në vitin 2013 duke shfrytëzuar jo vetëm konsumimin e qeverisjes së mëparshme, por edhe një moment ftohjeje në marrëdhëniet mes Sali Berishës dhe Turqisë pas një vote në OKB. Udhëtimi i tij në Ankara, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, nuk ishte rastësi. Ishte një sinjal i qartë se politika e jashtme po kthehej në instrument pushteti. Që nga ajo kohë, Turqia u konsolidua si një nga shtyllat kryesore të mbështetjes së tij dhe kjo ndodhi paralelisht me ndërtimin e marrëdhënieve transaksionale me aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
Në këtë konfigurim, roli i Turqisë si urë ndërmjetëse me Shtetet e Bashkuara u bë fakt i konsoliduar diplomatikisht. Ky realitet u shfrytëzua nga qeveria, ndërsa opozita vazhdoi të sillej sikur politika ndërkombëtare funksiononte ende mbi simpati personale. Kulmi i këtij avantazhi erdhi me shpalljen “non grata” të liderit të opozitës, një akt që nuk ishte vetëm goditje personale, por tronditje psikologjike për gjithë kampin opozitar. Që nga ajo ditë, opozita nisi të presë. Të presë sinjale që nuk erdhën, telefonata që nuk u bënë kurrë dhe mbështetje që ekzistonte vetëm në imagjinatë.
Megjithatë, do të ishte e padrejtë të mohohej një meritë e rëndësishme e opozitës: këmbëngulja e saj për demokraci, pluralizëm dhe rotacion politik. Në një realitet ku pushteti është gjithnjë e më i centralizuar dhe i mbështetur mbi interesa klienteliste, ky insistim ka vlerë reale dhe mbetet i domosdoshëm për shoqërinë shqiptare. Por demokracia, në botën e sotme, nuk mbijeton vetëm me parime. Ajo ka nevojë për artikulim strategjik dhe guxim diplomatik.
Këtu qëndron dobësia më e madhe e opozitës. Ajo ka hezituar të flasë qartë për boshtin Izrael–Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të mbështetjes politike të Edi Ramës. Duhet thënë qartë se këto shtete janë plotësisht në të drejtën e tyre për të ushtruar influencë politike dhe ekonomike. Problemi nuk janë ato, por fakti që opozita nuk ka ndërtuar një kundër-narrativë. Në vend që të artikulojë një bosht alternativ, ajo ka zgjedhur heshtjen.
Në realitet, opozita duhet të kuptojë se rruga e saj kalon përmes një orbite tjetër: Turqisë, Katarit dhe Anglisë, shtete që operojnë në një konfigurim të ndryshëm ndikimi dhe që negociojnë realisht me administratën Trump. Kjo nuk është zgjedhje ideologjike, por domosdoshmëri strategjike. Në këtë kuadër, një kërkim ndjese kortezie korrekt dhe i hapur ndaj Presidentit Erdoğan nuk do të ishte akt dobësie, por maturi politike. Në diplomaci, falja nuk është kapitullim; është mjet për të rimarrë pozicionin dhe për të rihapur kanale që janë mbyllur për shkak të krenarisë ose keqllogaritjes.
Natyrisht, asnjë strategji ndërkombëtare nuk zëvendëson përgjegjësitë e brendshme të opozitës: organizimin, lidershipin, besimin publik dhe kohezionin politik. Por pa një bosht ndërkombëtar funksional, edhe opozita më e fortë në terren mbetet e izoluar. Europa – Gjermania, Italia dhe Greqia – mbetet një hapësirë ende e pashfrytëzuar plotësisht, ku mungesa e komunikimit serioz e ka lënë opozitën pa peshë reale.
Sot, opozita shqiptare flet për demokraci në një botë që flet për fuqi. Flet për drejtësi në një sistem që negocion interesa. Dhe kjo shkëputje nga realiteti nuk është thjesht gabim strategjik; është rrezik ekzistencial. Nëse opozita nuk e rishkruan urgjentisht hartën e saj të aleancave dhe nuk e përshtat diskursin me botën reale, ajo nuk do të humbasë vetëm zgjedhje. Do të humbasë relevancën. Sepse brishtësia e saj nuk buron nga mungesa e vullnetit, por nga mungesa e orientimit. Dhe në politikën e sotme, të humbësh orientimin do të thotë të mbetesh përgjithmonë jashtë loje.


