Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka folur nga Zagrebi, ku mori pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Kroacisë, në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Ai kritikoi qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke thënë se në vend po rriten tendencat autoritare, ndikimi i oligarkisë ekonomike dhe financiare, si dhe politikat që dëmtojnë punëtorët. Sipas tij, ka presione ndaj sindikatave dhe sulme ndaj organizatave qytetare dhe intelektualëve kritikë.
Filipçe theksoi se patriotizmi i rremë i qeverisë përdoret për të mbrojtur rrjete kriminale dhe klienteliste, ndërsa ushtrohet presion mbi sistemin gjyqësor. Ai shtoi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është bllokuar, sepse qeveria ka braktisur konsensusin politik dhe shoqëror, duke u arsyetuar me mbrojtjen e identitetit kombëtar.


