Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski informoi fillimin e procedurës për furnizim të mbi 40 automjeteve të reja për nevojat e NP “Higjiena komunale”. Sipas njoftimit, projekti realizohet përmes bashkëpunimit të koordinuar me Ministrinë e Transportit dhe Bankës Botërore, ndërkaq plotësisht do të mbështetet edhe me mjete vetanake të Qytetit të Shkupit.
“Lajm i mirë për Shkupin – furnizohemi me mbi 40 automjete për ‘Higjienën komunale’. Sot, me gëzim të madh ju informoj se zyrtarisht filloi procedura për furnizim të automjeteve të specializuara për nevojat e NP ‘Higjiena komunale’, të cilat do të sjellin rend dhe dinjitet në qytetin tonë. procedura e tenderit, të cilën e kryen Ministria e Transportit në bashkëpunim me Bankën Botërore, tashmë është shpallur, ndërsa pas përfundimit të të gjitha procedurave, do të fillojë edhe dërgesa e automjeteve”, kumtoi Gjorgjievski në profilin e tij në Fejsbuk.
Krahas kësaj, thekson kryetari i Qytetit, sot, në mbledhje të Këshillit të Qytetit të Shkupit do të miratohet edhe programi për “Higjienën komunale”, me të cilin Qyteti siguron edhe mbi dhjetë kamionë të rinj nga mjetet e veta. Kjo do të thotë se në Shkup do të arrijnë dhe do të vihen në funksion mbi 40 automjete të reja, bashkëkohore dhe të specializuara, të cilat çdo ditë do të kujdesen për pastërtinë në qytet.


