Abil Baush
Në Maqedoni na pëlqen të flasim me shifra të mëdha: paga mesatare, rritje e projektuar, buxhete miliardëshe. Por qytetarët jetojnë me shifra të vogla: pagë minimale, fatura, qira, shportë konsumi. Pikërisht aty lind hendeku mes retorikës ekonomike dhe realitetit ekonomik. Dhe ky hendek po thellohet gjithnjë e më shumë.
Paga minimale në Maqedoninë e Veriut sot është rreth 24.379 denarë neto. Formarisht, më pak se 4% e të punësuarve e marrin këtë pagë. Kjo shifër shpesh përdoret si argument se paga minimale nuk është problem sistemik. Por ky është një lexim i gabuar i statistikës. Problemi i vërtetë nuk është sa njerëz marrin saktësisht pagën minimale, por sa njerëz janë rreth saj. Një pjesë e madhe e të punësuarve marrin paga vetëm pak mbi minimumin ligjor. Kjo do të thotë se paga minimale de facto bëhet pagë referuese për sektorë të tërë tregti, shërbime, tekstil, pjesë të industrisë. Ajo nuk është “fund”, por një spirancë që i mban pagat të ulëta.
Historikisht, paga minimale është rritur në mënyrë të shkëputur dhe shpesh nën presion politik, jo mbi bazën e një formule të qartë ekonomike. Sot kemi një kornizë ligjore që parashikon harmonizim, por ende mungon elementi kyç lidhja me standardin e jetesës.
Nga pikëpamja ekonomike, paga minimale duhet të ketë një funksion të qartë: të parandalojë që një person i punësuar të jetë i varfër. Nëse me orar të plotë pune nuk mund të mbulosh shpenzimet bazë të jetesës, atëherë nuk flasim për politikë sociale, por për pasiguri të institucionalizuar.
Në krahasim me Ballkanin, Maqedonia nuk është ekstrem, por as lidere. Serbia tashmë flet për pagë minimale mbi 450 euro, Shqipëria paralajmëron mbi 500 euro, ndërsa Mali i Zi vendosi një pagë minimale të dyfishtë prej 600 dhe 800 euro. Dallimi nuk është vetëm në shifër, por në faktin se disa nga këto vende e kanë lidhur pagën minimale me reforma tatimore, kontribute dhe formalizim të tregut të punës. Tek ne, debati mbetet i reduktuar në: “sa ta rrisim”.
Nga ana tjetër, paga mesatare në Maqedoni sot është rreth 46.961 denarë neto. Ajo rritet nominalisht dhe, në disa periudha, edhe realisht. Por pyetja që askush nuk dëshiron ta shtrojë është: sa njerëz e marrin realisht këtë pagë?
Përgjigjja është: pak. Paga mesatare nuk është pagë “tipike”. Ajo është një mesatare matematikore e tërhequr fort lart nga pagat e larta në sektorin IT, financa, menaxhim dhe kompani të huaja. Në ekonomi si e jona, ku shpërndarja e të ardhurave është e pabarabartë, paga mesatare flet më shumë për majën sesa për mesin.
Prandaj shtetet e zhvilluara insistojnë në pagën mediane – pagën që e ndan fuqinë punëtore në dy gjysma të barabarta. Tek ne, paga mediane pothuajse nuk është pjesë e debatit publik. Kjo nuk është rastësi. Sepse ajo shifër do të tregonte se shumica e punëtorëve jetojnë shumë poshtë “mesatares” që politikanët e citojnë.
Po, pagat rriten. Por rritja nuk është e njëtrajtshme. Dhe pa rritje paralele të produktivitetit, investimeve dhe efikasitetit institucional, ky rritje shndërrohet në presion inflacionist, jo në standard të qëndrueshëm jetese.
Si një indikator “i caktuar” (social, jo ekonomik), në Maqedoni ekziston shporta e konsumit por jo shtetërore. Ajo llogaritet nga sindikatat. Kjo në vetvete është simptomë. Në një ekonomi të zhvilluar, shteti është ai që mat sa kushton jeta. Tek ne, këtë rol e kanë sindikatat, ndërsa institucionet heshtin. Shporta sindikale është një alarm i dobishëm, por nuk është indikator zyrtar ekonomik. Ajo nuk ka peshë ligjore, nuk është e integruar në planifikimin buxhetor dhe nuk ndikon automatikisht në pagën minimale, taksat apo transfertat sociale. Prandaj shërben për debat publik, por jo për politikë publike.
Në shtetet e zhvilluara ekzistojnë indikatorë zyrtarë të “kostos së jetesës” ose “buxhete referuese”, të zhvilluara nga institucione shtetërore ose trupa të pavarura, që përdoren në hartimin e politikave. Ato përditësohen rregullisht, dallojnë sipas tipit të familjes dhe rajonit dhe lidhen drejtpërdrejt me pagat dhe mbrojtjen sociale.
Tek ne, shteti ende nuk është guxuar të shtrojë pyetjen më të thjeshtë: sa kushton një jetë e dinjitetshme? Sepse përgjigjja e kësaj pyetjeje do ta zhveshte boshllëkun mes pagave dhe realitetit.
Ndërkohë, në jetën reale, ekonomia jonë prej vitesh sillet rreth 2,5–3% rritje. Kjo nuk është katastrofë, por as zhvillim. Është rritje që e mban sistemin gjallë, por nuk e ndryshon jetën. Me një rritje të tillë, diferenca mes Maqedonisë dhe vendeve të zhvilluara nuk ngushtohet përkundrazi, thellohet.
Rritje mbi 5% nuk arrihet me optimizëm dhe konferenca për shtyp. Ajo kërkon investime reale kapitale, produktivitet, kapital njerëzor dhe kapacitet institucional. Tek ne, investimet kapitale planifikohen me ambicie, por realizohen dobët. Buxheti është më shumë një listë dëshirash sesa një dokument zhvillimor. Problemi nuk është vetëm te paratë, por te kapaciteti për të planifikuar, zbatuar dhe ndjekur. Pa përgatitje serioze projektesh, pa vlerësim të efekteve dhe pa lidhje mes investimeve dhe produktivitetit, buxheti mbetet konsumues, jo zhvillimor.
Në këtë pamje, le të jemi realistë: mungojnë reformat evropiane, të cilat nuk janë çështje ideologjike, por domosdoshmëri ekonomike. Për një ekonomi të vogël dhe të hapur, BE-ja nuk është “agjendë e huaj”, por korniza e vetme që vendos rregull, parashikueshmëri dhe disiplinë institucionale.
Negociatat me BE-në nuk garantojnë sukses, por garantojnë obligim. Obligim për reforma, transparencë dhe planifikim. Pa këtë kornizë, reformat tek ne mbeten selektive, ad-hok dhe të kushtëzuara politikisht.
Ekonomia jonë sot nuk vuan nga mungesa e shifrave, por nga mungesa e indikatorëve të vërtetë. Paga minimale rritet pa lidhje me shportën e konsumit, paga mesatare citohet pa u ditur kush e merr, ndërsa rritja projektohet pa kapacitet real.
Nëse duam të flasim për standard jetese, duhet të ndalojmë së fshehuri pas mesatares. Dhe nëse duam zhvillim, duhet të pranojmë se pa reforma, pa buxhet real dhe pa kornizë evropiane, 3% rritje nuk është fazë kalimtare, por gjendje e përhershme.


