Telekomi i Maqedonisë i hedh poshtë kategorikisht akuzat e paligjshme dhe të pabazuara që janë paraqitur në opinionin publik lidhur me procedurën që po zhvillohet para institucioneve kompetente dhe që buron nga rasti gjyqësor ndërmjet Telekomit të Maqedonisë dhe kompanisë Fokusnet.
Si kompani përgjegjëse, Telekomi i Maqedonisë ndjen detyrim që publikisht t’i demantojë pretendimet e pavërteta dhe të paargumentuara, të cilat po keqpërdoren për të mashtruar opinionin publik.
Megjithëse kjo procedurë, sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor, është sekrete, në publik janë plasuar informacione të paplota dhe të pasakta nga gjyqtarja e suspenduar Natasha Savovska Dimitrovska dhe përfaqësuesi i saj ligjor. Pikërisht për shkak të fshehtësisë së procedurës dhe kufizimeve ligjore, kompania nuk ka mundësi ta bëjë publike vendimin e plotë të Këshillit Republikan Gjyqësor, i cili në 73 faqe argumenton arsyet për shkarkimin dhe suspendimin e saj.
Megjithatë, në interes të informimit të saktë të publikut dhe bazuar në fakte, Telekomi i Maqedonisë sqaron se bëhet fjalë për një kontest gjyqësor që zgjat pothuajse dy dekada me kompaninë Fokusnet, e cila pretendon se ka pësuar dëm nga Telekomi i Maqedonisë.
Fokusnet është kompani me llogari të bllokuara për më shumë se 20 vjet, pa aktivitet real biznesi, por megjithatë kërkon shuma milionëshe dëmshpërblimi për një biznes që faktikisht nuk ekziston. Gjykata e shkallës së parë e kishte refuzuar padinë dhe kishte konstatuar se nuk ekziston bazë për kompensim dëmi.
Ndërkohë, në procedurën e shkallës së dytë, pas ankesës së Fokusnetit, Gjykata e Apelit në Shkup, pa mbajtur seancë publike dhe menjëherë para pushimit gjyqësor, e ndryshoi vendimin e shkallës së parë dhe vendosi që Telekomi i Maqedonisë t’i paguajë Fokusnetit rreth 4 milionë euro.
Telekomi i Maqedonisë, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore, ka paraqitur kërkesë pranë Këshillit Republikan Gjyqësor për shkak të dyshimeve serioze për shkelje ligjore në procedurën e shkallës së dytë.
Sipas informatave publike nga Raporti i Komisionit për verifikimin e fakteve pranë Këshillit Gjyqësor (gusht 2024), janë konstatuar indikacione serioze për ekzistimin e dy procesverbaleve, për çka Këshilli Gjyqësor e ka alarmuar Prokurorinë Publike.
Po ashtu, Komisioni ka konstatuar se në lëndën ankimore janë gjetur dokumente të brendshme dhe konfidenciale të Telekomit të Maqedonisë, të cilat nuk kanë qenë prova as në procedurën e shkallës së parë, as të dytë, dhe nuk janë dokumente publike.
Në këtë mënyrë të paligjshme, Gjykata e Apelit Shkup e ka ndryshuar vendimin fillestar dhe i ka ndarë dëmshpërblim prej gati 4 milionë eurosh një kompanie me llogari të bllokuara për më shumë se 23 vjet, pa të punësuar.
Telekomi i Maqedonisë shpreh besimin se institucionet kompetente do të veprojnë në përputhje me ligjin dhe se sundimi i ligjit do të zbatohet plotësisht.


