Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Muçunski, thotë se Brukseli kohët e fundit ka iniciuar një takim të ri me Bullgarinë për të zhbllokuar integrimin evropian të vendit, transmeton Anadolu.
Mucunski tha për një media lokale se fokusi në integrimin evropian është kryesisht në reformat e brendshme dhe se është i kënaqur edhe me Brukselin, duke vënë në dukje se Plani i Veprimit për Mbrojtjen e Minoriteteve u mirëprit nga disa shtete anëtare. Megjithatë, ai thotë se mungon dialogu për të gjetur një zgjidhje për problemin më kompleks.
“Në dhjetor, pati iniciativa serioze nga disa shtete anëtare më të mëdha dhe më me ndikim të BE-së, së bashku me udhëheqjen e BE-së, për të organizuar një takim midis meje dhe kolegut tim Georg Georgiev. Si qeveri, na u kërkua të propozonim disa data, thamë, të caktonim datën, por për fat të keq, nuk pati reagime pozitive nga Sofja. Këto ditë, pati një iniciativë tjetër nga Brukseli për të organizuar një takim”, deklaroi Mucunski duke shtuar:
“Përsëri jemi në dispozicion kur pala tjetër është e gatshme të shkëmbejmë argumentet tona, të shprehim shqetësimet tona objektive, frikën tonë se edhe nëse miratohen përsëri ndryshimet kushtetuese, vendi ynë do të vihet në të njëjtën pozicion për shkak të çështjeve që lidhen me identitetin, historinë dhe gjuhën. Le të shprehim shqetësimet tona për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut nga Bullgaria fqinje, le të diskutojmë si fqinjë që në muajt e fundit, për shembull, për Korridorin 8, se mund të arrijmë sukses nëse duam”.
Ai shtoi se “një zgjidhje kërkon dy persona, besim të mirë dhe diskutim në frymën e vlerave evropiane”. Qeveria jonë është e gatshme të zhvillojë një diskutim të tillë sot, nesër dhe çdo ditë, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve në Sofje, thotë ministri i jashtëm maqedonas.
“Kur diskutojmë me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, në KE, gjithmonë bëhet një përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Fatkeqësisht, nuk mund t’i ndaj këto ide me publikun tani sepse do të refuzohen në të njëjtin moment. Ka më shumë ide. Qytetarët duhet ta dinë se disa çështje themelore janë thelbësore për ne. Së pari, t’i japim fund lëshimeve tona kombëtare, jo vetëm ndaj Bullgarisë, por ndaj çdo vendi, të cilat cenojnë tiparet tona identitare – gjuhën, kulturën, historinë. Pritja jonë është gjithashtu që pakicat kombëtare maqedonase që jetojnë përtej kufijve tanë, veçanërisht ato në vendet anëtare të BE-së, të marrin trajtim evropian”, tha Mucunski.
Ai vlerësoi se për fat të keq, ndoshta për shkak të procesit zgjedhor në Bullgari, “pamë një qasje të gabuar ndaj Planit të Veprimit për Minoritetet”.
“Sofja po sillet në mënyrën se si po sillet, ne duhet të përqendrohemi në reformat e brendshme, të evropianizojmë shoqërinë tonë, të përmbushim detyrimet ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë të jemi një aktor proaktiv në gjetjen e një zgjidhjeje”, theksoi Mucunski.


