63.2% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut blejnë online, por vendi mbetet i papërgatitur për e-tregti me inteligjencë artificiale, thuhet në Përmbledhjen e E-tregtisë në Ballkanin Perëndimor 2025, të përgatitur nga Shoqata për E-tregti. Sipas raportit, gjatë vitit 2024 mbi gjysma e përdoruesve të internetit kanë realizuar blerje online, duke e renditur vendin ndër tregjet më aktive në rajon. Megjithatë, niveli i blerjeve online mbetet ende nën mesataren e Bashkimit Evropian. Ekspertët vlerësojnë se rritja e e-tregtisë është sinjal pozitiv, por nuk mjafton për zhvillim afatgjatë. Sfida kryesore është nëse ekonomia është e përgatitur për fazën e ardhshme – e-tregtinë e mbështetur nga inteligjenca artificiale.
AI po transformon shpejt mënyrën se si funksionojnë bizneset, veçanërisht në tregtinë online, përmes ofertave të personalizuara, marketingut digjital inteligjent, logjistikës më efikase, menaxhimit të stokut dhe zbulimit të mashtrimeve.
Me një rezultat prej 0.48, Maqedonia e Veriut mbetet dukshëm pas mesatares së BE-së dhe shumicës së vendeve të rajonit, duke lënë pas vetëm Bosnjën dhe Hercegovinën. Ndërkohë, vende si Danimarka, Holanda dhe Estonia kryesojnë me indeks mbi 0.76. Raporti thekson se pengesat kryesore janë infrastruktura e dobët digjitale, kapaciteti i ulët inovativ dhe integrimi i pamjaftueshëm në ekonominë digjitale globale, edhe pse ka përmirësime në kapitalin njerëzor.
Sipas Shoqatës për E-tregti, faza e ardhshme e zhvillimit duhet të fokusohet në cilësi, besim dhe qëndrueshmëri, në mënyrë që e-tregtia të rritet në mënyrë konkurruese dhe të sigurojë mbrojtje më të mirë për konsumatorët. Raporti u prezantua në Konferencën e 8-të Rajonale për E-tregti dhe përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor./SHENJA/


