Me “kartonë të verdhë” u protestua mbrëmë para çimentores USJE në Shkup. Këta qytetarë pretendojnë se fabrika është ndotëse dhe po dëmton shëndetin e shkupjanëve. Ata nuk u besojnë matësve të fabrikës USJE, duke theksuar se asnjë ndotës nuk mund të pranojë vetë se sa ndot.
Nëse fabrika nuk dislokohet, nuk vendoset monitorim 24-orësh dhe nuk ka reagim institucional, protestuesit paralajmëruan se do të radikalizojnë protestat. Kërkesat e tyre janë dërguar në mbi dhjetë institucione, duke kërkuar reagim të shpejtë. -Saktë para 6 vitesh, së bashku me një grup qytetarësh aktivistë, për herë të parë bllokuam USJE-n. Edhe atëherë duhej t’i jepnim karton të verdhë, tani meritojnë karton të kuq.-Çimentorja duhet të dislokohet menjëherë, menjëherë larg nga këtu.
Nga çimentorja USJE mohojnë akuzat. Thonë se gjatë periudhës së fundit nuk kanë punuar dy furrat, megjithatë ajri ka qenë i ndotur, gjë që sipas tyre tregon se ata nuk janë shkaktarët kryesorë të ndotjes. “TITAN – USJE”: “Edhe pse TITAN Usje nuk ka funksionuar plotësisht, të premten më 16.01 niveli më i lartë i grimcave PM10 arriti 275 mikrogram për metër kub, të shtunën (17.01.2026) – 250, të dielën (18.01.2026) – 143, të hënën (19.01.2026) – 190 dhe të martën (20.01.2026) – 221 mikrogram për metër kub.
Kjo situatë përsëritet çdo vit. Qëndrojmë të hapur për dialog konstruktiv me të gjithë partnerët relevantë për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme në interes të të gjithëve” Pas kërkesave të shumta për dislokimin e fabrikës dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, Qyteti i Shkupit ka mbështetur iniciativën për zhvendosjen e fabrikës jashtë zonës urbane, megjithatë vendimi final mbetet në dorën e Qeverisë.


