Nuk është marrë ende asnjë masë ndaj gjykatësit të Apelit, në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë u gjetën 350 000 euro të fshehura në mur, të cilat dyshohet se i kishte përfituar me korrupsion. Gjykatësi Gjoko Ristov, nuk është arrestuar dhe nuk janë caktuar masa kujdesi për të. Megjithatë, sipas ligjit, për paraburgimin e një gjykatësi, duhet të ketë vendim të Këshillit Gjyqësor. Ky i fundit, duhet urgjentisht të mbajë një seancë në të cilën do t’i shqyrtojë pretendimet e Prokurorisë dhe Policisë për gjykatësin dhe do të vendosë nëse do t’i hiqet imuniteti që e gëzon gjykatësi.
Raportohet se basitja e gjykatësi lidhet me rastin në të cilin ndiqet penalisht ish avokati shtetëror Fehmi Stafa, i cili ndodhet në paraburgim pasi po hetohet për marrje ryshfeti prej 50,000 eurove për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te gjykatësi i Apelit Gjoko Ristov, që po zhvillohej kundër klientit të tij. Fehmi Stafa është ish-Avokat i Shtetit i Maqedonisë. Bashkëshortja e Ristovit ishte kolege e tij dhe punon në Avokaturën e Shtetit. Sipas hetimit të 14 dhjetorit, Stafa i ka dhënë ryshfet Ristovit në emër të biznesmenit të akuzuar Ljupço Pecov, i njohur si “Djalli”, i cili deri së fundmi ishte në arrati.
Vepritaria e dyshimtë e gjykatësit Ristov nuk përfundon këtu. Ai ka gjykuar një nga rastet më të njohura, rastin “Target–Fortesa”, që kishte të bëjë me përgjimin masiv të paligjshëm, në të cilin i akuzuar ishte Sasho Mijallkov. Me shfuqizimin e aktgjykimit të Gjykatës Penale, lënda u vjetërsua. Lënda, sipas informacioneve të bëra publike, kishte qëndruar në sirtar për nëntë muaj, në një periudhë kur gjykatës-raportues ishte Enver Bexheti, i cili më vonë u shkarkua dhe u vendos në listën e zezë të SHBA-së.
Me gjykatësin Bexheti kishin bashkëpunuar edhe në rastin “Thesari”, ku Ristovi mori pjesë në vendimmarrjen për paraburgimin e Mijallkovit, së bashku me Bexhetin, ku u mor vendim që ai të lirohej.
Vendim për heqjen e paraburgimit ai mori edhe në rastin e ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski.
Poashtu, me votën e Ristovit u finalizua edhe lënda “27 prilli”, ku Apeli e konfirmoi aktgjykimin, por i uli dënimet e shqiptuara.
Ristovi ishte gjykatës-raportues edhe në lëndën “TNT”, ku i dëmtuari Fijat Canoski e akuzoi publikisht se lënda mbahej qëllimisht në sirtar me qëllim që të vjetërsohej dhe të mos vinte deri te dëmshpërblimi për rastin “Kosmos”.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/


