Administrata e Donald Trump po konsideron mundësinë e ofrimit të azilit për hebrenjtë që largohen nga Britania e Madhe, për shkak të rritjes së antisemitizmit, raporton The Telegraph, duke cituar avokatin personal të presidentit, Robert Garson.
Garson tha për gazetën se ka diskutuar me Departamentin e Shtetit të SHBA-ve mundësinë që hebrenjtë britanikë të marrin strehim në Amerikë. Ai theksoi se ngjarje të fundit, si sulmi islamist në sinagogën e Manchesterit dhe rritja e antisemitizmit pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, e bëjnë të besueshme se komuniteti hebre në Britani nuk ka një të ardhme të sigurt.
Avokati shtoi se kryeministri britanik Keir Starmer mbart pjesë të përgjegjësisë për përhapjen e antisemitizmit, dhe se komuniteti hebre është “i arsimuar, flet anglisht natyrshëm dhe nuk ka përqindje të lartë kriminaliteti”, duke e bërë ofertën për azil tërheqëse për SHBA-të.
Garson ka diskutuar idenë me Yehuda Kaploun, emisar special i administratës Trump për monitorimin e antisemitizmit, dhe është anëtar i Këshillit të Memorialit të Holokaustit në SHBA, ku Trump e emëroi pas shkarkimit të disa bordistëve të emëruar nga administrata Biden.
Sipas një sondazhi të vitit 2025 nga Institute for Jewish Policy Research, ndjenja e sigurisë në komunitetin hebre në Britani ka rënë ndjeshëm: 35% ndihen të pasigurt, krahasuar me vetëm 9% në vitin 2023. Ndërkohë, 47% e hebrenjve britanikë e konsiderojnë antisemitizmin një problem shumë të madh, krahasuar me 11% në 2012.
Megjithatë, nuk është ende e qartë se si do të integrohen hebrenjtë britanikë në kufizimin e përgjithshëm të refugjatëve që SHBA-të planifikojnë për vitin 2026, vetëm 7 mijë e 500 persona, shumica prej të cilëve rezervuar për afrikanë të bardhë nga Afrika Jugore.
/tvklan.al


