Ekonomia kineze u rrit me 5 përqind në vitin 2025, duke arritur objektivin vjetor të Pekinit, megjithëse shënoi një nga zgjerimet më të dobëta në dekada, sipas statistikave zyrtare.
Sipas të dhënave të publikuara të hënën, ekonomia kineze arriti rritjen e pritur pavarësisht luftës tregtare të presidentit amerikan Donald Trump, pasi eksportet në rritje kompensuan konsumin e dobët dhe krizën e zgjatur të sektorit të pasurive të paluajtshme.
Megjithatë, rritja prej 5% mbetet shumë poshtë mesatares historike prej rreth 8% në periudhën 2000-2025. Në tremujorin tetor-dhjetor, Kina regjistroi zgjerim vjetor prej 4.5%, krahasuar me 4.8% dhe 5.2% në tremujorin e tretë dhe të dytë të vitit.
Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës, ekonomia kombëtare “ruajti një moment të qëndrueshëm përparimi gjatë 2025, dhe zhvillimi i cilësisë së lartë shënoi arritje të reja. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se ndikimi i ndryshimeve në mjedisin e jashtëm po rritet, dhe kontrasti mes ofertës së madhe dhe kërkesës së dobët në tregun e brendshëm mbetet i dukshëm”.
Rritja u mbështet kryesisht nga eksportet, që shënuan një vlerë totale prej 26,989 miliardë yuan ($3.9 trilion), ndërsa teprica tregtare e Kinës arriti një rekord prej afërsisht 1.2 trilion dollarë, duke u përpjekur për të gjetur tregje të reja në Azi, Afrikë, Amerikën Latine dhe Evropë për të zbutur efektet e tarifave amerikane.
Nga ana tjetër, konsumi dhe sektori i pasurive të paluajtshme, që kanë qenë pengesa të vazhdueshme për ekonominë kineze, vazhduan të ngadalësojnë rritjen.
Shitjet me pakicë u rritën vetëm 0.9% në dhjetor krahasuar me 1.3% në muajin e mëparshëm, shënuar rritjen më të ngadaltë që nga heqja e kontrolleve strikte COVID në fund të 2022-ës. Investimet në asete fikse ranë 3.8% gjatë vitit, me shpenzime për infrastrukturë dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme që u ulën përkatësisht 2.2% dhe 17.2%.
/tvklan.al


