Përplasja mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara zhvendoset nga sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, në Alpet zvicerane, ku liderët evropianë do të takohen ballë për ballë me presidentin amerikan, Donald Trump. Në tryezë janë disa çështje kyçe: paqja në Ukrainë, pretendimet për Groenlandën dhe rindërtimi i Gazës. Rezultati i bisedimeve konsiderohet i paparashikueshëm, aq sa presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka thirrur tashmë për të enjten në mbrëmje një samit të jashtëzakonshëm, ku liderët e BE-së do të jenë gati të marrin vendimet e nevojshme në varësi të ecurisë së takimeve në Zvicër. Rreziku më i madh, sipas burimeve evropiane, është që Trump ta përdorë Ukrainën si monedhë shkëmbimi, një strategji që e ka ndjekur edhe më parë.
Tensionet transatlantike janë rritur ndjeshëm pasi Trump ka kërcënuar me vendosjen e doganave 10% për të gjitha mallrat e eksportuara drejt SHBA-ve nga tetë vende, duke nisur nga 1 shkurti: Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda. Këto vende kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët “si anëtarë të NATO-s”, duke riafirmuar angazhimin për të forcuar sigurinë në Arktik si interes i përbashkët transatlantik. Ato kanë theksuar se stërvitja daneze e para-koordinuar “Arctic Endurance” i përgjigjet kësaj nevoje dhe “nuk përbën kërcënim për askënd”, ndërsa Trump i kishte akuzuar se kishin “vënë në rrezik” planet për sigurinë amerikane.
Në deklaratë, tetë vendet kanë nënvizuar gjithashtu se kërcënimet me tarifa “minojnë marrëdhëniet transatlantike dhe rrezikojnë të nxisin një spirale të rrezikshme përkeqësimi”, duke u zotuar të mbeten të bashkuar dhe të koordinuar në përgjigje, si dhe të mbrojnë sovranitetin e tyre.
Kryeministri britanik, Keir Starmer ka zhvilluar një bisedë telefonike me Trump, duke i thënë se vendosja e doganave ndaj aleatëve është “e gabuar”. Ndërkohë, vendet e tjera anëtare të BE-së janë rreshtuar në mbështetje të tetë shteteve gjatë një mbledhjeje të ambasadorëve pranë BE-së, ku janë analizuar instrumentet e mundshme të reagimit për t’u paraqitur përpara Trump me synimin e një “zgjidhjeje diplomatike”, por nga një pozicion negociues më i fortë. Sipas një burimi evropian, ekziston ndërgjegjësimi se BE-ja ka në dispozicion një sërë kundërmasash, edhe pse mbizotëron ende kujdesi.
Më herët, burime nga Elizeu kishin bërë të ditur se presidenti francez Emmanuel Macron mund të kërkonte aktivizimin e instrumentit anti-shtrëngim, të ashtuquajturin “bazuka”, i cili nuk është përdorur kurrë deri tani. Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim i tillë. Pas konsultimeve me kryeqytetet evropiane, presidenti Costa ka theksuar “gatishmërinë” e BE-së për t’u mbrojtur nga çdo formë presioni dhe vlerësimin e përbashkët se doganat do të dëmtonin marrëdhëniet transatlantike dhe do të ishin të papajtueshme me marrëveshjen tregtare BE-SHBA.
Grupet e ashtuquajtura të “shumicës Ursula” në Parlamentin Evropian kanë kërkuar tashmë pezullimin e votimit për marrëveshjen, e cila është e nevojshme për ta përmbyllur atë. Ndërkohë, në tryezën e liderëve mbeten edhe kundër-doganat ndaj mallrave amerikane me vlerë 93 miliardë euro, të miratuara më 24 korrik të vitit të kaluar dhe të pezulluara deri më 6 shkurt pas një marrëveshjeje mes BE-së dhe SHBA-ve.
“Bashkimi Evropian do të vendosë vetëm pas 1 shkurtit nëse do ta zgjasë pezullimin apo do të aktivizojë kundërmasat”, ka shpjeguar një burim diplomatik, duke nënvizuar se brenda BE-së ka pasur një nivel të lartë konsensusi dhe uniteti.
Ndërkohë, Kanadaja po shqyrton mundësinë e dërgimit të ushtarëve në Groenlandë si shenjë solidariteti të NATO-s me Danimarkën. Gjermania ka tërhequr 15 ushtarët e saj nga ishulli arktik, pasi misioni i tyre tre-ditor kishte përfunduar. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka zhvilluar gjithashtu një bisedë me Trump për Groenlandën dhe ka deklaruar se mezi pret ta takojë atë në Davos. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka pasur kontakte me Rutte, Macron, Starmer, Merz dhe Meloni, duke theksuar në një postim në X se “do t’i mbrojmë gjithmonë interesat tona strategjike ekonomike dhe të sigurisë”.
/tvklan.al


