Pas serisë së hetimeve dhe kontrolleve të lidhura me gjyqtarin Gjoko Ristov nga Gjykata e Apelit në Shkup, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka paraqitur zyrtarisht kërkesë në Këshillin Gjyqësor për caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjyqtarit të dyshuar.
Nga Këshilli Gjyqësor theksojnë se vetëm ata kanë kompetencë të vendosin nëse do t’i caktohet paraburgim gjyqtarit Ristov – një vendim që mund të jetë kyç për rrjedhën e mëtejme të hetimit.
Sipas dispozitave ligjore, Këshilli i Gjyqtarëve duhet t’i shqyrtojë argumentet e Prokurorisë, duke vlerësuar nëse ekzistojnë baza për caktimin e kësaj mase, si rreziku i arratisjes, ndikimi mbi dëshmitarët apo mundësia e përsëritjes së veprës penale.
Kjo kërkesë vjen pas kontrolleve të kryera në shtëpinë e Ristovit dhe hetimeve të ndërlidhura për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion.
Emri i gjyqtarit më herët ishte lidhur me rastin e ish-Avokatit të Popullit, Fehmi Stafa, i cili ndodhet në paraburgim për shkak të dyshimeve për pranimin e ryshfetit në vlerë prej 50.000 euro.
Sipas pretendimeve të prokurorisë, Stafa dyshohet se ka tentuar të ndikojë mbi një gjyqtar të Gjykatës së Apelit, çka u pasua me zgjerim të hetimit dhe aktivitete të shtuara të Prokurorisë Publike.
Nga Këshilli Gjyqësor kanë paralajmëruar se vendimi do të merret pas shqyrtimit të plotë të provave dhe argumenteve juridike të paraqitura nga palët, çka pritet të shënojë një kthesë të re në këtë rast që ka shkaktuar reagime të forta në rrethet gjyqësore dhe në opinionin publik.
Ky zhvillim ka hapur edhe më tej çështjet mbi pavarësinë, integritetin dhe besimin në sistemin e drejtësisë në vend, të cilat prej muajsh janë në fokus të debatit publik për shkak të një sërë rastesh të ngjashme.


