Policia ka kryer bastisje në një objekt në fshatin Vojnik, Komuna e Staro Nagoriçanit, ku janë gjetur armë dhe pajisje të dyshimta, ndërsa një person është arrestuar.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se bastisja është realizuar më 16 janar 2026, në orët e pasdites, nga zyrtarë të SPB Kumanovë, në bazë të urdhrit gjyqësor.
“Gjatë kontrollit në një shtëpi pushimi, pronë e K.B. (26) nga Kumanova, janë gjetur një pistoletë e tipit ‘Zastava’, kalibër 6.35 mm, një elektroshok, një peshore digjitale dhe sende të tjera,” njofton MPB.
Sipas autoriteteve, i dyshuari është privuar nga liria dhe pas përfundimit të dokumentimit të rastit, ndaj tij do të pasojë kallëzim përkatës penal.
MPB thekson se aktivitetet policore janë pjesë e veprimeve të vazhdueshme për zbulimin dhe parandalimin e veprave penale që lidhen me armëmbajtje të paligjshme dhe rrezikimin e sigurisë publike.


