Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve informoi se sot po zhvillohet votimi i personave të sëmurë e të pafuqishëm, si dhe i personave që janë duke vuajtur dënim me burg, për zgjedhjet e përsëritura për kryetarë komunash në komunat Gostivar, Mavrovë dhe Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë. KSHZ bën të ditur se nga ora 07:00 të mëngjesit, në shtatë institucione korrektuese-ndëshkuese, të drejtën e votës mund ta ushtrojnë 94 persona që janë duke vuajtur dënim me burg ose paraburgim.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE
“Në total, 249 persona të sëmurë ose të pafuqishëm mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në këto zgjedhje. Prej tyre, 146 persona janë të regjistruar për të votuar në Gostivar, 32 persona të sëmurë ose të pafuqishëm kanë të drejtë vote në Vrapçisht, 69 persona mund të votojnë për kryetar të komunës Mavrovë dhe Rostushë, ndërsa 2 persona mund të votojnë për kryetar të komunës Qendër Zhupë’’.
KSHZ thonë se sipas Kodit Zgjedhor, në zgjedhjet e përsëritura nuk kërkohet pjesëmarrje prej një të tretës së votuesve, por që të zgjidhet kryetari i komunës, dhe se për njërin nga kandidatët duhet të votojnë më shumë se gjysma e votuesve që kanë dalë në votim, duke përfshirë edhe Qendrën Zhupë, ku ka vetëm një kandidat. Zgjedhjet për kryetar komune në këto katër komuna po përsëriten pasi në Zgjedhjet Lokale 2025 nuk pati numër të mjaftueshëm të qytetarëve që dolën për të votuar.
/SHENJA/


